Banorët e disa fshatrave të Drenasit të revoltuar me ndërprerjet e shpeshta të rrymës – KEDS jep arsyetimin

Banorët e fshatrave Llapushnik, Arllat, Negroc, Vuçak dhe Gjergjicë të Komunës së Drenasit janë duke përjetuar ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike, pothuajse çdo javë, nga ora 09:00 deri pas orës 17:00. Ata thonë se kjo gjendje është bërë e padurueshme dhe kërkojnë përgjigje.

Sipas banorëve, ndërprerjet po arsyetohen me punime në rrjetin elektrik, por ata shtrojnë pyetjen pse e gjithë dalja mbetet pa rrymë, kur punimet mund të ndodhin vetëm në një pjesë të caktuar të fshatrave. Po ashtu, ata theksojnë se rrjeti i ri elektrik është shtrirë në këto zona tash e disa vite, prandaj e konsiderojnë të pajustifikueshme ndërprerjet e vazhdueshme.

IndeksOnline ka kontaktuar Korporatën Energjetike për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) për të kërkuar sqarime.

Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, ka dhënë këtë përgjigje: “Ju informojmë se ndërprerjet e energjisë elektrike për fshatrat në fjalë po ndodhin për shkak të punimeve të planifikuara në rrjetin elektrik shpërndarës. Rrjedhimisht, këto shkyçje janë të planifikuara, meqë, përderisa realizohen ato, nuk mund të punohet nën tension. Këto punime janë në përfundim e sipër dhe po implementohen në kuadër të planit investiv, përmes së cilit banorët e këtyre anëve do të kenë një rrjet elektrik shpërndarës që ofron siguri dhe qëndrueshmëri në furnizim me energji elektrike”.

Megjithatë, banorët shprehen se mbeten skeptikë ndaj afateve dhe kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë për këtë problem, që po ndikon në jetën dhe punën e përditshme të tyre./IndeksOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë