PDK-ja mblidhet nesër, Krasniqi: Qëndrimet tona janë të qarta…

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është deklaruar rreth propozimit të LDK-së sa i përket formimit të qeverisë.
Në një prononcim për IndeksOnline, Krasniqi tha se kryesia e PDK-së do të mblidhet nesër dhe do të diskutohet edhe kjo gjë.
Ai thotë se qëndrimet e Partisë Demokratike janë të qarta dhe konsistente.
”Qëndrimet tona lidhur me situatën e krijuar janë të qarta dhe konsistente. Ne kemi theksuar vazhdimisht se vendi nuk mund të mbetet peng i interesave të ngushta politike dhe se bllokada institucionale është pasojë direkte e qasjes së papërgjegjshme dhe imponuese të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po insiston me çdo kusht ta mbajë vendin në krizë.
Sa i përket propozimit të LDK-së, jam i informuar tashmë. Gjithsesi, vendimet e rëndësishme ne i marrim në organet e partisë, andaj nesër, në mbledhjen e rregullt të Kryesisë do të diskutojmë për të gjitha zhvillimet politike dhe për hapat e mëtejshëm”, u shpreh Krasniqi.