Ushtarja e njohur nga Drenica jep dorëheqje nga FSK-ja pas gjysmë jete në shërbim

Manushaqe Nura, një figurë e njohur dhe e respektuar e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka njoftuar dorëheqjen e saj pas një shërbimi të gjatë dhe të përkushtuar në uniformë. Duke ndarë ndjenjat e saj për këtë vendim të rëndësishëm, Nura falënderoi shtetin e Kosovës për mundësinë e dhënë për të shërbyer që nga koha e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) deri në avancimin në FSK, ku ka zhvilluar karrierën e saj ushtarake përmes përvojave dhe trajnimeve profesionale në shkolla prestigjioze.

Ajo shprehu mirënjohje të veçantë për mbështetjen e pakushtëzuar të familjes dhe të bashkëshortit të saj, Azdrenit, i cili ka qenë krah saj në çdo hap të këtij rrugëtimi. Edhe pse nuk do të jetë më pjesë e përditshmërisë në kazermë, Nura theksoi se FSK-ja do të mbetet përjetësisht shtëpia e saj e dytë dhe burim krenarie për të. “Brenda këtyre rrethojave kam gjetur një brez të artë të rinisë së Kosovës, për të cilët do të jem krenare kudo që të më gjejë jeta,” shprehet ajo me emocione.

Postimi i plotë:

Pas thuajse gjysmë jete në shërbim, sot po përshëndetem me uniformën, FSK-në. Modestinë do ta ruaj edhe sot, por e rëndësishme është të ndaj me ju që po dal ballëhapur dhe e respektuar nga të gjithë. Kjo, një ndjenjë e domosdoshme lehtësimi në këtë moment jo të lehtë për mua.

E falënderoj shtetin e Kosovës për mundësinë që më dha të shërbej, fillimisht si pjesë e TMK-së dhe pastaj në FSK, ku u zhvillova në aspektin profesional dhe u shkollova në institucione prestigjioze vendore dhe ndërkombëtare. Falënderoj familjen për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe natyrisht bashkëudhëtarin tim të jetës, Azdrenin, i cili la gjithçka për t’i dhënë prioritet rrugëtimit tim ushtarak.

Edhe pse nesër në mëngjes nuk do ta bëj rrugën e zakonshme për në kazermë, FSK-ja do të mbetet gjithmonë shtëpia ime e dytë, sepse aty kam kolegët dhe miqtë më të shtrenjtë. Brenda atyre rrethojave gjendet një brez i artë i rinisë së Kosovës, për të cilët do të jem krenare kudo që të më gjejë jeta.

Një për të gjithë, të gjithë për një! 🫡

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë