Sherr mes xhaxhait e nipit në Komoran: Paradite u kapën verbalisht, pasdite eskaluan në rrahje
Konfliktet në mes të familjarëve në vendin tonë janë goxha të shpeshta dhe përcillen me kanosje serioze e përleshje që eskalojnë edhe në rrahje brutale. Problemet për të cilat nuk arrijnë të merren vesh i shtyjnë ata t’i qërojnë vet hesapet, duke u futur kështu në sherr edhe në Polici, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Komoran, ku nisi paradite një sherr mes dy familjarëve (xhaxhai me nipin) dhe eskaloi pasdite.
Siç merr vesh Sinjali, xhaxhai po dyshohet se në mëngjes i kishte shkuar nipit te lokali ku ndodhej dhe kishte tentuar ta sulmojë, por s’kishte arritur.
Nga aty, konflikti ka vazhduar në shtëpinë e tyre, ku dyshohet se u përfshinë në rrahje.
Rasti është denoncuar në Polici dhe si rezultat, dy të dyshuarit janë arrestuar.
Të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor, ku u intervistuan lidhur me rastin.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.