Ministria e Mbrojtjes thotë se ushtrinë po e lëshojnë ata që s’e përballojnë disiplinën
Ministria e Mbrojtjes ka justifikuar largimin e 251 ushtarëve nga Forca e Sigurisë brenda dy vjetësh, duke theksuar se shumë nga ta nuk kanë mundur ta përballojnë disiplinën që kërkohet gjatë shërbimit në këtë institucion.
Krahas kësaj, në një përgjigje për KOHËN, Ministria ka listuar ndër arsyet edhe ofertën e sektorit privat që ka për pjesëtarët e FSK-së.
“Sigurisht kjo ndodh për shkak të disiplinës dhe përkushtimit që kërkon ushtria e që jo të gjithë janë të gatshëm ta ofrojnë për një periudhë të gjatë kohore, e sidomos jo nëse e kanë parë ushtrinë vetëm si një vend pune, por në rastin e Kosovës në këtë aspekt ka pasur ndikim edhe angazhimi në sektorin privat të punës, për shkak të gamës së gjerë të mundësive për profile të ndryshëm që ky sektor ofron, e që pjesëtarët e përgatitur profesionalisht në FSK, të shkolluar si rezultat i mbështetjes financiare të Qeverise, janë shënjestër e kompanive të mëdha”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Mbrojtjes.
“Ushtria është shërbim ndaj vendit, do të thotë besnikëri, sakrificë, vetëmohim, prandaj dhe duhet bërë një dallim ndërmjet një vendi të zakonshëm pune dhe gatishmërisë për t’i shërbyer atdheut. FSK nuk shënjestron qytetarë që duan t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës për pagë, por ata që janë të gatshëm t’i shërbejnë atdheut 24/7”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Vetëm gjatë këtij viti, FSK-në e kanë braktisur 119 pjesëtarë të saj.
Pos largimit, brenda 4 vjetëve, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë rekrutuar 1971 ushtarakë të rinj dhe janë në proces rekrutimi edhe 300 ushtarë të tjerë.