Ky është shoferi i kamionit që shkaktoi aksidentin me 11 të lënduar në Veternik
Dje në mesditë ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku në Veternik të Prishtinës, ku një kamion del nga korsia e tij, thyen anësoret e rrugës dhe godet 11 vetura, raporton Sinjali.
Si pasojë e këtij aksidenti 11 persona kanë mbetur të lënduar, ku gjashtë nga ta po trajtohen në QKUK.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht edhe emrin e shoferit që shkaktoi aksidentin e rëndë e që bëhet fjalë për Emin Moria – që tashmë është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Lajmin për aksidentin e rëndë e konfirmoi edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ku tha se 11 vetura u përfshinë e u lëndua 11 persona.
“Sot rreth orës 14:30 kemi pranuar informatën se në Veternik ka ndodhë një aksident trafiku. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë një kamion dhe 11 automjete. Bazuar në të dhënat e deritanishme, si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar 11 persona”, ka thënë ajo për Sinjalin.
Ndërkaq, si shkak i këtij aksidenti rruga për Veternik mbeti e bllokuar me orë të tëra nga kolanat që u krijuan.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.