Lladrovci bën homazhe para memorialit të familjes Deliu në Abri dhe në Negroc e Vuçak
Kryetari i Komunë së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përkujtuar masakrën e familjes Deliu, tre dëshmorët e fshatit Abri, si dhe dëshmorët në fshatin Negroc e Vuçak.
Në një njoftim të lëshuar nga Komuna e Drenasit thuhet se Lladrovci bashkë me stafin e tij bënë homazhe pranë memorialit kushtuar familjes Deliu.
Poashtu, Lladrovci me staf ka nderuar edhe dëshmorët Valdet Xhemajli, Vesel Demaku dhe Afrim Hajdari, në varrezat e fshatit Abri.I pari i Drenasit theksoi rëndësinë e përjetshme të sakrificës së dëshmorëve dhe martirëve për lirinë e vendit.
“Me bashkëpunëtorët dhe qytetarët, u vendosën lule të freskëta në nderim të familjes Deliu, e cila u martirizua nga forcat serbe. Ushtria serbe kreu një akt gjenocidi kundër kësaj familjeje të paarmatosur, duke ekzekutuar nga afër 23 anëtarë vetëm pse ishin shqiptarë”.
“Ndër viktimat kishte foshnja, gra shtatzëna dhe të moshuar, të pafuqishëm për të rezistuar. Kjo masakër mbetet një plagë e thellë dhe dhimbja për familjen Deliu vazhdon të jetë e madhe, ndërsa drejtësia ende nuk ka arritur të ndëshkojë përgjegjësit e këtij akti çnjerëzor”, thuhet në njoftim.