29-vjeçari në Fushë Kosovë e kafshon në dorë policin pasi e prangosi
Një numër i madh i të dyshuarve që kërkohen nga organet e rendit arrijnë ta shijojnë lirinë nga arratia. Plot të akuzuar e të dënuar për vepra të ndryshme penale, që kanë ikur nga duart e drejtësisë, shpallen në kërkim dhe ndaj tyre lëshohen urdhëresa, raporton Gazeta Sinjali.
Policia ka arrestuar së fundmi një 29-vjeçar, ndaj të cilit kishte urdhëresë aktive.
Sinjali mëson se këtë herë, zyrtarët policorë kanë hasur në rezistencë, pasi e ndalën të dyshuarin në Fushë Kosovë dhe pas verifikimit rezultoi se ishte në listën e personave të kërkuar.
I riu u prangos përkundër rezistencës dhe u fut në automjetin zyrtar të Policisë, ku ka vazhduar me sjellje agresive.
Sipas informacioneve të para, i njëjti e ka kafshuar në dorë një zyrtar policor në shenjë revolte.
Të njëjtat burime thonë se gjatë kontrollit policor, i është gjetur edhe një sasi e narkotikëve, e llojit marihuanë.
Pas përfundimit të procedurave policore, 29-vjeçari është dërguar në vuajtje të dënimit në njërën nga qendrat korrektuese në vend.