Lladrovci: Me shkurtin po afrohet mundësia reale për ta ndryshuar qeverisjen

Shkurti po afron. Me shkurtin, po afrohet mundësia reale për ta ndryshuar qeverisjen, për ta ndalur degradimin dhe zhvillimet negative. Me shkurtin, duhet të arrihet unitet në mes të partive politike të Drenasit që në thelb e kanë pasur dhe kanë Partinë Demokratike të Kosovës. Kështu është shprehur i pari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Ai ka ftuar të gjithë ish anëtarët e PDK-së, të kthehen në partinë e dalë nga Drejtoria politike e UÇK-së, e krijuar nga rekomandimi i aleatëve të luftës të cilët i sugjeruan Hashim Thaçit që urgjent ta krijonte forcën politike e cila do të përfaqësonte vizionin e manifestuar në frontet e luftës dhe në Rambuje.

“Kjo forcë politike, PDK, djepin dhe shtratin e vet të natyrshëm e ka në Drenicë. Sot, më shumë se kurrë, kërkohet unitet, duke tejkaluar të gjitha hatërmbetjet, inatet e hakmarrjet, debatet e panevojshme dhe ndasitë. Kërkohet bashkim pa kushte i të gjitha forcave politike, individëve dhe qytetarëve të paangazhuar rreth misionit dhe vizionit të PDK-së të përfaqësuar tashmë nga Bedri Hamza”, ka thënë Lladrovci.

Ky unitet sipas Lladrovcit duhet të reflektojë për hir të rezultateve për zgjedhjet nacionale që na presin, në shkurtin e vitit 2025. Asnjë votë nuk duhet të flejë në shtëpi, por, të jetë e angazhuar për ndryshimin e qeverisjes, për ndryshimin e kursit të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Ky bashkim i dedikohet edhe heronjve tanë të luftës e paqes, Hashimit, Kadriut, Jakupit, Rexhës dhe të tjerëve që padrejtësisht ndodhen në Hagë.

“Prandaj, ftoj qytetarët, pjesëtarët e partive tjera në Komunën e Drenasit, bashkë me subjektet e dala nga PDK-ja, ish anëtarët e PDK-së në veçanti, të bëhen pjesë e unitetit për zgjedhjet nacionale, të jemi bashkë për ta rifilluar zhvillimin në komunën tonë. Asnjë investim kapital i realizuar për pesë vjet. Bedri Hamza i njeh nevojat tona dhe ka vizion për zhvillimin e mëtejmë të Drenasit dhe Kosovës”, ka deklaruar Lladrovci./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë