Aprovohet marrëveshja e ndërmjetësimit, hudhet aktakuza për grushtimet në Kuvend

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar marrëveshjen e lidhur në Qendrën e Ndërmjetësimit në mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe Mergim Lushtaku me të dëmtuarin Hekuran Murati, për përleshjen e ndodhur më 13 korrik 2023 në Kuvendin e Kosovës.

“Betimi për Drejtësi”, ka siguruar vendimin, i cili rezulton të jetë marrë më 2 shtator 2024, përmes së cilit gjykata po ashtu ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj Bislimit, Beqës, Lushtakut e Haxhiut dhe ka pushuar procedurën penale ndaj tyre.

“HUDHET aktakuza e PTH-së në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, PP.II.nr.4413/23, të dt.24.10.2023 dhe PUSHOHET procedura penale kundër të pandehure B. B., M. L. dhe H. B., për shkak të veprës penale Sulmi nga neni 184 par.1 të KPRK-së, për të pandehurin H. B. edhe për shkak të veprës penale Asgjësimi, apo dëmtimi i pasurisë nga neni 321 par.1 të KPRK-së, ndërsa për të pandehurin B. H., për shkak të veprës penale Lëndim i lehtë truporë nga neni 185 par.1 pika 1.4 të KPRK-së”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Tutje, në këtë vendim thuhet se marrëveshja e arritur në mes palëve të lartcekura është aprovuar konform nenit 248 paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit të Procedurës Penale lidhur me nenin 2 paragrafi 2 dhe nenin 15 paragrafi 1 të Ligjit për Ndërmjetësim.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se për aktakuzën e ngritur ndaj Bislimit, Beqës, Lushtakut e Haxhiut, gjykata më 25 maj 2024 ka caktuar dhe mbajtur shqyrtimin fillestar, ku me propozimin e palëve në procedurë është vendosur që kjo lëndë të dërgohet në Qendrën për Ndërmjetësim në Prishtinë, ku dhe në këtë qendër është arritur marrëveshja në mes palëve në procedurë.

“Andaj gjykata duke vepruar konform dispozitave nga neni 2 par.2 dhe neni 15 par.1 të Ligjit për Ndërmjetësim Nr.06/L-009, më dt.02.09.2024, e aprovoi këtë marrëveshje pasi që të njëjtën e vlerësoi se është lidhur me vullnetin e plotë të palëve në konflikt dhe në pajtim me ligjin në fuqi, konform nenit 8 par.7 të Ligjit të Ndërmjetësimit, me datën e aprovimit nga Gjykata, përkatësisht nga dt.02.09.2024, kjo marrëveshje do ta ketë fuqinë e titullit ekzekutiv”, thuhet tutje në vendimin e gjykatës.

Ndërsa, shpenzimet e procedurës penale sipas këtij vendimi bien në barrën e mjeteve buxhetore të kësaj gjykate.

Se një marrëveshje e tillë ishte arritur mes palëve, më 14 gusht 2024 e kishte konfirmuar edhe avokatja e deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtakut, Besjana Ismajli.

Deri tek kjo marrëveshje ka ardhur pasi në seancën e datës 28 maj 2024  Besnik Bislimi, Mërgim Lushtaku, Hajdar Beqa dhe Bekim Haxhiu ishin pajtuar  që kjo çështje të zgjidhet me ndërmjetësim.

Pajtimi i palëve që lënda të shkojë në procedurë të ndërmjetësimit, kishte ardhur pasi gjykatësi i rastit Eroll Gashi ua propozoi një gjë të tillë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Bislimi, avokati Florent Latifaj kishte thënë se pas konsultimit me të mbrojturin e tij, pajtohen që kjo lëndë të shkojë në procedurë të ndërmjetësimit.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Hajdar Beqa, avokati Hajzer Salihu  kishte thënë se do t’ia japin një shans procedurës së ndërmjetësimit.

Po ashtu, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Mergim Lushtaku, avokatja Besjana Ismajli e kishte mbështeti deklarimin e avokatit Salihu, e cila tha se pajtohen që kjo lëndë të shkojë në ndërmjetësim.

Gjithashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Haxhiu, avokati Ardian Megjani, ishte pajtuar që lënda të shkojë në ndërmjetësim.

Po ashtu, që kjo lëndë të shkojë në ndërmjetësim ishte pajtuar edhe i dëmtuari, ministri i Financave, Hekuran Murati si dhe prokurorja Nebahate Salihu.

“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën e ngritur më 24 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë