Drejtoreshat komunale në Drenas ngrehin padi për asamblisten e VV-së, Egzona Tërdevci
Drejtoreshat e drejtorive komunale në Drenas kanë parashtruar padi për fyerje dhe shpifje kundër asamblistes Egzona Tërdevci nga partia “Vetëvendosje”.
“Shpifja është e ndëshkueshme me ligj. Kërkimfalja nuk mjafton, prandaj, ne nëpërmjet padisë, duam drejtësi që shpifjet e tilla të mos përsëriten. I besojmë drejtësisë”, kanë thënë ato.
E këtë padi e ka komentuar edhe i pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Statusi i Lladrovcit:
Në ditën e sotme, të fyhen me shpifje vajzat, motrat, gratë, bijat e veteranëve dhe familjaret e dëshmorëve të UÇK-së, është më shumë se keq.
Shpifjet për poenë politikë nuk duhet të ndodhin në asnjë rast, kur kemi parasysh moralin e integritetin e secilit person dhe secilës familje në komunën tonë.
Shpifja është e palejueshme sidomos kur e lëndon familjen dhe gjininë femërore, prandaj drejtësia duhet ta thotë fjalën e vet dhe një herë e përgjithmonë të mbledhin mend shpifësit.
Padia për shpifje është rrugë e vetme për të çrrënjosur këtë praktikë të shëmtuar për poenë politikë.
Politika dhe emërimi në një post janë të përkohshme, ndershmëria e drejtoreshave dhe familjeve të tyre por edhe çdo individi tjetër është vlerë që nuk guxon të fyhet.