Bllokimi i kufijve/ Momenti kur policia serbe kthen prapa familjen që po udhëtonte drejt Gjermanisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, më herët deklaroi se një familje që po udhëtonte drejt Gjermanisë, përmes Serbisë, është ndaluar nga policia serbe dhe është kthyer prapa me forcë.

Pranë pikave kufitare Kosovë-Serbi janë grumbulluar dhjetëra serbë, të cilët përmes barrikadimit dhe protestave kanë shprehur pakënaqësi për operacionin që Policia e Kosovës kreu një javë më parë në veri, e që rezultoi me mbylljen e pesë objekteve që ilegalisht operonin si komuna paralele serbe.

Indeksonline ka siguruar pamje nga momenti kur familja shqiptare ndalohet nga policia serbe, teksa në video shihen edhe persona të maskuar, shkruan Indeksonline.

Familja në fjalë është shqetësuar dhe detyrimisht është kthyer pas.

Lidhur me rastin, ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke thënë se dënon fuqishëm veprimet në pikën kufitare në Bërnjak.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës dënon fuqishëm veprimet e fundit në pikën kufitare të Bërnjakut, ku persona të maskuar po ndalojnë vetura me regjistrim gjerman dhe, pas konstatimit se udhëtarët janë shqiptarë, nuk po i lejojnë të kalojnë.

Kjo situatë është duke u mbikëqyrur nga vetura të policisë serbe, e cila nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij veprimi të padrejtë.

Një sjellje e tillë, e cila nuk mund të tolerohet, rikujton periudha të errëta të historisë dhe përbën një akti veprimi të papranueshëm, diskriminimi dhe fashizmi.

Për shkak të kësaj gjendjeje të papranueshme, pika kufitare e Bërnjakut do të mbetet e mbyllur deri në largimin e personave të maskuar.

MPJD i bënë thirrje qytetarëve dhe mërgimtarëve që udhëtojnë drejt Kosovës apo nga Kosova në drejtim të shteteve tjera të marrin masa të kujdesshme dhe të përdorin pikat e tjera kufitare” thuhet në reagimin e MPJD-së./Indeksonline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë