Korriku me 82 raste të zjarreve në Drenas, kërkohet kujdes i shtuar

Sot, nënkryetari i komunës, Arben Shala, së bashku me Drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Nexhmedin Gruda dhe stafin e komunës, kanë inspektuar nga afër fushat dhe pyjet ku, gjatë këtyre ditëve, janë ndezur zjarre të mëdha ku janë dëmtuar dhjetëra hektarë tokë e pyje.

Vetëm gjatë muajit korrik, kanë qenë 82 raste të intervenimeve nga Njësiti Profesional i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, ku 73 prej tyre kanë qenë intervenime në shuarjen e zjarreve fushore-malore. Janë djegur dhjetëra hektarë të kullosave dhe hamulloreve, si dhe pyjeve, duke dëmtuar konsiderueshëm florën dhe faunën dhe duke ndotur dukshëm ajrin.

Djegia e hamulloreve shkakton pasiguri të madhe fizike dhe çrregullime të shumta në ekuilibrin biologjik të tokës punuese. Mbetjet e kashtës pas korrje-shirjeve duhet të përmbysën (livrohen) e kurrsesi të ndezën, meqë nuk na duhet toka e djegur, sepse me këtë dukuri më së shumti dëmtohet fermeri, pasi që me vite humb pjelloria e tokës.

Ju lutemi të tregoni kujdes të shtuar dhe të respektoni rregullat e parandalimit të zjarreve për të mbrojtur mjedisin dhe shëndetin tonë.
Së bashku mund të ruajmë natyrën dhe sigurinë e komunitetit tonë.

Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë