Zjarre pranë zonës turistike në Shëngjin, evakuohen banorët
Autoritetet në Shqipëri raportojnë për përhapje zjarresh në qytetin bregdetar të Shëngjinit, ndërsa po punohet për mbrojtjen e banesave dhe hoteleve.
Autoritetet kanë thënë se janë evakuuar banorët afër zonës së zjarreve, ndërsa pushuesit besohet se janë më larg asaj pjese.
Flakët në Malin e Shëngjinit kanë nisur që nga e shtuna pasdite dhe zjarri është rindezur në mëngjesin e hënës.
Për shkak të erës, izolimi i vatrave të zjarrit aktualisht është i pamundur.
Në një njoftim të Prefekturës së Lezhës, mëngjesin e së martës, theksohet se “vatra e zjarrit në fshatin Mal Shëngjin ka dalë plotësisht jashtë kontrollit”.
Sipas njoftimit, gjatë gjithë natës kanë operuar 20 mjete zjarrfikëse me personelin përkatës në përpjekje për të lokalizuar flakët.