Ambasadori amerikan Hovenier i qartë: Nëse Qeveria s’na dëgjon, ka pasoja në cilësinë e partneritetit tonë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka folur lidhur me pasojat që mund të vijnë si shkak i padëgjueshmërisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj kërkesave të aleatëve ndërkombëtarë, raporton Gazeta Sinjali.

Hovenier ka thënë se në masën që Qeveria vendos të mos i marrë parasysh këshillat e tyre, ose të mos dëgjojë, do të ketë pasoja në cilësinë e partneritetit.

Diplomati amerikan ka përsëritur deklaratën e tij se kjo ndikon në aftësinë e tyre për të qenë avokatë efektivë për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“E dini, nuk dua të futem në hollësi. Do ta them atë që e kam thënë jo më larg se dje. Ne e marrim shumë seriozisht këtë çështje. Kryeministri e ka dëgjuar nga unë. Ai e ka dëgjuar këtë nga Jim O’Brien drejtpërdrejt në më shumë se një rast. Unë nuk mendoj se dikush ka dyshime për këto shqetësime të Shteteve të Bashkuara apo të partnerëve tanë sepse, përsëri, kishte një deklaratë të QUINT-it. Nuk jemi të vetëm në këtë shqetësim. Në masën që qeveria është e përgjegjshme ndaj këtij shqetësimi mbi një çështje kaq të ndjeshme se si komunitetet pakicë në Kosovë e ndjejnë se po trajtohen dhe në masën që qeveria i përgjigjet shqetësimeve që ata i ngrenë, për të cilat besojmë se janë legjitime, në masën që qeveria është partnere për të adresuar ato, atëherë ka ndikim pozitiv në partneritetin tonë. Në masën që qeveria vendos të mos i marrë parasysh këshillat tona ose të na dëgjojë, është e qartë se ka pasoja në cilësinë e partneritetit tonë. Sikundër e thashë në deklaratën tim dhe sikundër u tha nga Uashingtoni, e dini, kjo ndikon në aftësinë tonë për të qenë avokatë efektivë për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, tha ai në një intervistë për RTV21.

Ndryshe, që nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi vendimi për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, sipas të cilës Euroja është valuta e vetme për kryeje të pagesave në Kosovë, duke përjashtuar kështu valutat tjera nga qarkullimi – përfshirë dinarin serb.

Kjo ka ngjallur reagime të shumta në arenën ndërkombëtare, të cilët kanë kërkuar që situata të zgjidhet përmes dialogut dhe Kosova ta shtyjë zbatimin e vendimit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë