Përfundojnë zgjedhjet për administrator dhe këshillave lokale, Dardan Hysenaj zgjidhet përfaqësues i fshatit Abri dhe Tërdec

Në ambientet ShFMU “Shotë Galica” në fshatin Abri, janë mbajtur zgjedhjet për administrator (kryetar) të fshatit Abri dhe Tërdec dhe këshillit lokal, ku me shumicë votash, Dardan Hysenaj është zgjedhur administrator i këtyre vendbanimeve.
Komisioni Komunal për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjes së Këshillave të fshatrave në komunën e Drenasit, ka mbajtur takim me banorët e fshatit Abri dhe Tërdec, ku pikë e rendit të ditës ishte zgjedhja e administratorit dhe këshillit lokal.
Bazuar në Rregulloren Komunale për zgjedhjen e administratorëve, detyrave dhe përgjegjësive, dhe duke ndjekur procedurat konform rregullores në fjalë, me shumicë votash, Dardan Hysenaj zgjidhet administrator i këshillit lokal të Abri dhe Tërdec, si dhe anëtarët e këshillit lokal në përbërje nga: Ukë Hajdaraj, Shqipdon Demaj, Shefshet Delijaj, Pajtim Halilaj, Fatmir Halilaj dhe Kushtrim Halilaj.
Zgjedhjet për administrator të vendbanimeve dhe këshilla lokale, kanë përfunduar mbrëmë në fshatin Abri, pas një procesi 4 mujor, ku komisioni për zgjedhjen e këshillave të fshatrave në secilin vendbanim kanë bërë zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre.