Aksidenti me fatalitet te Badovci, ky është shoferi i kamionit që dyshohet se goditi 49-vjeçarin

Një aksident me fatalitet ka ndodhur sot në mëngjes, në afërsi të Liqenit të Badovcit, ku për pasojë ka humbur jetën një 49-vjeçar. I ndjeri, Hasan Shabani, u godit nga një kamion derisa po lëvizte me veturën e tij dhe fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë. Ndaj shoferit që dyshohet se e shkaktoi aksidentin tashmë kanë nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se shoferi që po dyshohet për këtë rast është Z.Gashi, 50-vjeçar.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia dhe është bërë e ditur që kanë nisur hetimet për zbulimin e shkaqeve të aksidentit.
“Rreth orës 09:00, është pranuar informata për një aksident trafiku rrugor të ndodhur në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan, respektivisht në fshatin Kishnicë.
Nga informatat e para bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë një veturë dhe një kamion dhe si pasojë një person, mashkull, 49 vjeç, ka humbur jetën.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr masat e nevojshme për lehtësimin e qarkullimit rrugor si dhe ka nisur punën për hetimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti.”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Sinjalin.