Ramiz Lladrovci ju dërgon letër asambleistëve

Kryetari Lladrovci apelon për miratimin e ndërtimit të Sheshit ‘Fehmi Lladrovci’ në Komunën e Drenasit.

“Le të bashkohemi në këtë rrugëtim drejt përparimit të qytetit tonë. Ndërtimi i sheshit ‘Fehmi Lladrovci’ është një investim i rëndësishëm që do të sjellë përfitime të mëdha për të gjithë qytetarët e Drenasit. Bëhuni pjesë e historisë sonë duke mbështetur këtë projekt, për të bërë qytetin tonë më bukur, më modern dhe më frymëzues për brezat e ardhshëm.”

Letra e plotë:

Të nderuara asambliste e asamblistë të Komunës së Drenasit,

Kjo letër drejtuar juve, dua të shërbej për ditën e nesërme të cilën e shoh si ditë me rëndësi, për Komunën tonë dhe qytetarët.

Në Seancën e fundit kuvendore, unë para jush nuk kam bërë kërkesë, por, lutje që ta votoni pikën e gjashtë të rendit të ditës, lidhur me ndërtimin e Sheshit “Fehmi Lladrovci”, me qëllimin më të mirë, për ta parë të gjithë ju, rëndësinë dhe vlerën e këtij projekti.

Nuk dua ta besoj se investimi në Sheshin “Fehmi Lladrovci”, duhet të lidhet me vëllain tim, por me heroin e Kosovës, legjendarin e Drenasit, i cili në luftën tonë çlirimtare, ia zbardhi fytyrën Kosovës dhe kombit tonë.

Nuk dua të numëroj arsyet pse na duhet Sheshi, nuk dua të flas për përfitimet ekonomike, ato sociale, kulturore dhe identitare të Sheshit të Drenasit, por për pasojat, të cilat janë të mëdha për komunën dhe qytetarët e komunës tonë.

Mënyra e përcaktimit të projektit, limiti kohor i shpenzimit të tij, lidhja e ngushtë me bashkëfinancimin dhe bartjen e të hyrave vetanake nga viti i kaluar, dështimi para donatorëve e deri te shpenzimi i buxhetit që ndikon drejtpërdrejtë për kushtin e performancës për vitin 2023, janë disa nga arsyet që e bëjnë projekt shumë të rëndësishëm.

Pra, ne bashkë, si Komunë, me miratimin pa dallim pozitë-opozitë, do t’i kemi përfitimet mbi 7 milion euro, duke ndikuar dhe afektuar edhe buxhetin e vitit 2024.

Në çdo rrethanë e kam deklaruar dhe deklaroj se për çdo çështje madhore, pozitë dhe opozitë në Kuvendin e Drenasit, kemi pasur unitet. Kërkoj ta kemi këtë unitet edhe nesër, përtej çdo interesi partiak apo politik, le të jetë vendim falënderues për Drenasin që meriton një shesh shembullor, për të tashmen tonë dhe për gjeneratat që do të vinë.

Ju lus, ta keni parasysh se kjo pikë e rendit të ditës, është me vlerë për të gjithë neve. Asnjë kryetar nuk do të jetë i përhershëm, por, Drenasi, do të jetë këtu, për aq sa të ketë jetë mbi tokë, andaj, ta bëjmë atë sa më të bukur, me sa më shumë vlerë, për të gjithë neve.

Dua të theksoj se shprehjet e mia në seancat kuvendore apo debatet edhe nuk janë gjithmonë të lehta. E pranoj, se më vjen keq nëse dikush e merr personale, sepse, kurrë nuk e kam atë qëllim. Mua më ka shtyrë përpara çështja. I tillë kam qenë edhe gjatë aktivitetit tim ilegal nga rinia e hershme, ashtu isha edhe gjatë studimeve, i tillë isha edhe në aksionin e parë të UÇK-së që i kam pri në mes të Drenasit. I njëjti Ramiz isha në organizimin ushtarak dhe luftën çlirimtare. Për këtë karakter timin, pres të keni mirëkuptim duke më njohur dhe i tillë do të mbetem për aq sa do të jem gjallë. Mendoni për rëndësinë e çështjes për komunën, jo për mua.

Me nderime,
Ramizi

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë