Vrasja me 14 plumba/ Dëshmitari thotë se s’shkoi te vendi i ngjarjes pasi ishte përhapur lajmi se nipat e kanë vrarë dajën

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Gjilan, dëshmitari Sadri Jakupi, babai i të akuzuarit Lirim Jakupi, tha se nuk kishte shkuar te vendi i ngjarjes, pasi ishte përhapur lajmi se nipat e kanë vrarë dajën.
Në këtë rast, Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq ngarkohen se më 12 shtator 2021, pas një përgatitje paraprake, në bashkëkryerje, me 14 plumba e kanë privuar nga jeta B.V, duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë, të cilët kanë qenë afër tij. Kurse, Osmani ngarkohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas procesverbalit të seancës së të martës, dëshmitari Jakupi ka thënë se viktima i kishte ftohur marrëdhëniet me djalin e tij, të akuzuarin Lirim, me arsyen se nuk e kishte bërë veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në procesverbal, thuhet se dëshmitari ka qëndruar pranë deklaratave të dhëna në Polici. Aty thuhet se i njëjti ka deklaruar se lajmin për vrasjen e kishte marrë nga bashkëshortja e tij, pasi kishte ardhur nga vëllai i tij.
“Nuk e kemi ditë se kush e ka vra. Pasi që e mora vesh që B., është vra nuk kam shkuar tek vendi i ngjarjes sepse me nipin tim Sahitin nuk qëndroj mirë dhe u përhap lajmi se nipat e kanë vra dajën”, citohet të ketë thënë ai.
Në procesverbal, thuhet se i njëjti ka deklaruar se i akuzuari Lirim, në ditën kritike i kishte thënë se po shkon në Prishtinë me gruan dhe fëmijët.
“Në Prishtinë, Lirimi ka shkuar me kerr, me të kujt nuk e di”, citohet të ketë deklaruar Jakupi.
Paraprakisht në seancë, sipas procesverbalit, në këtë rast ishte dëgjuar dëshmitari Agush Aliu, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit të rastit Shefik Mehmeti, kishte deklaruar se në ditën kritike kishte qenë në Shqipëri dhe ishte kthyer në shtëpinë e tij rreth orës 19:00.
“Pasi jam kthyer për një kohë të shkurtër kam hyrë në lokalin tim, të cilin e kam përballë shtëpisë. I kam lanë nja 2 peshqira në shank dhe kam qenë ka TV duke i rregulluar. Derisa kam qenë duke e rregulluar televizionin, unë kam dëgjuar krismat, kanë qenë disa krisma por sa nuk e di, dhe pasi jam kthyer me shiqu kah kanë ardhë krismat, e kam parë viktimën në tokë”, ka thënë ai.
Tutje thuhet se ka deklaruar që viktimën B.V, e kishte njohur dhe se para se të ndodhte rasti e kishte parë ulur me Luan Kastratin dhe Selajdin Dakun, ku edhe ishte përshëndetur me ta.
Më pas, sipas procesverbalit, dëshmitari ka deklaruar se përveç viktimës që kishte qenë i shtrirë në tokë, edhe personat e cekur më lartë të cilët kishin qenë në një tavolinë me të, kishin qenë të shtrirë në tokë.
“Unë nuk kam këqyr asgjë, sepse ka qenë situata shumë e rëndë dhe për këtë arsye jam larguar dhe kam shkuar në banesë, personat që kanë shtënë në viktimën B.V nuk i kam parë”, thuhet të ketë thënë ai.
Kurse, sipas procesverbalit, dëshmitari Lorik Jusufi ka deklaruar se është punëtor i shankut dhe para se të ndodhte rasti, kishte qenë duke biseduar me shefin e tij rreth televizionit.
“Krismat kanë qenë nga jashtë, po në atë moment nuk e kam ditë kon e kanë gjuajt, me thanë të vërtetën më kanë lëshu këmbët, se s’e kam ditë se çka po ndodh, më ka shku mendja mos është ndonjë sulm terrorist. Jam ul brenda shankut, masi janë ndal krismat, jam ngritur në këmbë, i pashë një dy veta të shtritë, ia ka nis me mu koqitë dora dhe kryt prej frikës. Kur i kam dëgju krismat, mu ka duk si mitralez, shumë krisma ka pas”, citohet të ketë thënë dëshmitari Jusufi.
I njëjti në pyetjet e anëtari të trupit gjykues Sahit Boroci, thuhet se ka deklaruar që nuk e kishte pare Agushin që ishte rrëzuar.
Gjithnjë sipas procesverbalit, në këtë seancë ka dëshmuar edhe dëshmitarja, Mirvete Ismajloviq, bashkëshortja e të akuzuarit Afrim Ismajloviq, e cila ka deklaruar se burri i saj akuzohet për vrasjen e B.V, por që atë e njëjta nuk e kishte njohur dhe se Lirim Jakupi ishte shok me burrin e saj.
“Ditën kritike, rreth orës 17:00 Lirim Jakupi me bashkëshorten dhe dy fëmijët kanë ardhur bashkë me Afrimin, ku janë taku me Afrimin nuk e di se nuk e kam pyetur, tek ne kanë ardhur me kerrin tonë. Mu nuk më ka interesu se ku u taku Afrimi me Lirimin se kena telashe tjera, as kush u vra as sen hiq, e kam një fëmijë të sëmurë. Afrimi mrena ditës ka qenë tek shtëpia atë ditë, nuk e di a ka lëvizë Afrimi, por e di që në shtëpi është sjellë atë ditë Afrimi”, thuhet të ketë deklaruar ajo.