“Kam me t’gri thikë, edhe n’bandera t’i kam vnu kamerat”/ Burri në Lipjan kërcënon ish bashkëshorten

Telashet me partnerët dhe familjet e tyre, nuk marrin fund gjithmonë me ndarje. Shumë gra edhe pas shkurorëzimit kanë probleme me ish-bashkëshortët të cilët jo rrallëherë ndodhë që të shkelin urdhrat mbrojtës të lëshuar nga Gjykatat dhe u shkaktojnë frikë e shqetësim ish-partnereve. Për pasojë vepra përsëritet e madje në shumë raste ka përfunduar edhe tragjikisht, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i frikshëm ka ndodhur dje në Lipjan, ku pas seancës gjyqësore për shkurorëzimin mes një çifti, burri dyshohet se ka drejtuar kërcënime serioze kah ish bashkëshortja e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ishte e pajisur me urdhër mbrojtës nga Gjykata, por kjo nuk e ka ndalur të dyshuarin që ta kërcënojë se do e ‘grijë me thikë’ po e pa në qytet me një grua të cilën e ka të afërme.

E shqetësuar nga veprimet dhe fjalët e ish bashkëshortit, 34-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se i dyshuari i ka thënë që e ka të ndaluar të shkojë në X vend dhe nipin e saj, do e presë me thikë.

Po ashtu i njëjti dyshohet se e ka kërcënuar që i ka vendosur kamerat edhe nëpër shtyllat elektrike në rrugë, në mënyrë që ta monitorojë çdo lëvizje të viktimës.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mospërfillje e gjykatës’.

Ndryshe, masa mbrojtëse e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje si dhe vartësit të tij/saj dhe personave tjerë nëse është e nevojshme, mund t’i shqiptohet personit i cili ka kryer dhunë në familje, nëse ekziston rreziku i përsëritjes së dhunës në familje.

Në urdhrin me të cilin shqiptohet masa e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje, gjykata cakton vendin, regjionin dhe largësinë, brenda së cilës kryerësi nuk guxon t’i afrohet viktimës së dhunës në familje.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë