Tre punëtorë vjedhin aluminin në vlerë të 12 mijë € në kompaninë ‘Ada Consulting Group’, zbulohen nga kamerat

Vjedhjet e shumta në biznese po shkaktojnë humbje të mëdha, por edhe pasiguri. Hajnat në shumicën e rasteve nuk kapen, pasi arrijnë të ikin pa u zbuluar. Por një rast pak më ndryshe ka ndodhur në një kompani në Prishtinë, ku pronarit nuk i doli shumë punë t’i identifikojë hajnat, pasi i kishte në “shtëpi”, raporton Gazeta Sinjali.

Tre të rinj, punëtorë të kompanisë “Ada Consulting Group” sh.p.k., po dyshohen se kanë kryer vjedhje të rëndë në pllacin e firmës që ndodhet në fshatin Miradi e Poshtme në Fushë Kosovë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti është denoncuar në Polici nga një zyrtar i kompanisë, i cili ka raportuar se tre të dyshuarit, kanë vjedhur material alumini, në vlerë të 12 mijë eurove.

Ndonëse arritën ta kryenin vjedhjen, ata u nxorën zbuluar në kamerat e sigurisë. Të dyshuarit E.Sh., A.S., dhe A.V., u identifikuan përmes pamjeve, që vërtetonin se kishin vjedhur aluminin nga pllaci.

Përballë kësaj situate, kompania ACG deponoi prova që dëshmojnë vjedhjen që është kryer dhe i raportoi tre punëtorët.

Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vjedhje të rëndë”, ndërsa pasi të sigurohet prezenca e të dyshuarve do të ndërmerren veprimet e tjera hetimore.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë