Hajnat bëjnë kërdi në shtëpinë e mërgimtarit, ia vjedhin 6 mijë euro cash dhe stoli ari nga kasaforta

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e ka pësuar edhe një familje në rrugën “Bjeshkët e Nemuna” në Ferizaj, ku hajnat kanë bërë kërdi, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur të shtunën, kur hajnat ia kanë mësyrë shtëpisë së një mërgimtari, ku kanë hyrë me forcë dhe kanë arritur që të thyejnë kasafortën, prej të cilës vodhën stoli të ndryshme dhe para të gatshme, që në total dëmi kap vlerën e rreth 10 mijë eurove.
Rastin e ka denoncuar vëllai i pronarit të shtëpisë, i cili ka njoftuar Policinë pasi e gjeti shtëpinë të hapur dhe të demoluar nga hajnat.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.