Lamtumirë, Beqir Aliu!

Shkruan: Lulzim NIKA

Në vitin 1998, makineria ushtarake serbe filloi gjenocidin ndaj popullit shqiptar në Kosovë, e në veçanti në kështjellën e pamposhtur të kryengritjes dhe shqiptarizmit që nuk u nënshtrua nga pushtuesi serbosllav, në Drenicë.

Viti 1998 filloi me masakrat që bënte shteti serb në Drenicë,duke filluar me Likoshan, Qirez, Prekaz e vende tjera të Kosovës. Mirëpo, falë atdhetarëve dhe atyre që besonin në idealin e lirisë se Kosovës, fronti për liri, sa vinte e forcohej. Në mesin e shumë burrave që kam njohur në Drenicë në ato orë të mobilizimit kundër gjenocidit, që ushtronin forcat serbe ishte edhe një burrë bujar e fjalëpak, por me vepra të mëdha për lirinë dhe pavarësisnë e Kosovës, ishte Beqir Aliu.

Beqir Aliu, pa hezituar, në shërbim të lirisë së Kosovës dha shtëpinë e vet e që u bë spital i parë ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në shtëpinë e tij, pra u shëruan shumë plagë të lirisë së Kosovës. Gjatë vitit 1998 pata rastin ta vizitoj disa herë këtë spital dhe aty pashë përkushtimin e shumë mjekëve atdhetarë, që përkundër kushteve dhe rrethanave të vështira, ishin të pamposhtur, ashtu siç ishte ideja për lirisë së Kosovës. Këta mjekë kontribuan shumë, andaj shpreh respekt të veçantë, meqë gjithmonë ishin në betejën për shërimin e plagëve të të gjithë qytetarëve.

Familja e Beqir Aliut ishte e gjitha e mobilizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku në betejën e prillit te vitit 1999, neë altarin e lirisë ra për të mos vdekur kurrë, vëllai i Beqirit, dëshmori Bajram Aliu, në betejat e UÇK-së në fshatin Verbofc. Pas masakrave që bënte shteti serb kundër popullsisë shqiptare në Drenicë, ishte e domosdoshme që në këto rrethana, të vendosnin, në zonat e kontrolluara nga UÇK-ja, një objekt të improvizuar për spital ushtarak, që do të ishte në shërbim të të gjithë qytetarëve të zonës së Drenicës. Me 27 prill të vitit 1998 kishte filluar punën spitali i parë ushtarak i UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës, që ishte vendosur në shtëpinë e atdhetarit Beqir Aliut. (Vijon poshtë reklamave)

Ky spital ishte improvizuar në shtëpinë e Beqir Aliut në Likoc të Skenderajt, ku ishte i vendosur edhe shtabi i përgjithshëm i UÇK-së.
Duhet theksuar se Beqir Aliu ka qenë kryetar i parë i klubit FC Prishtina, pas pavarësimit të futbollit të Kosovës nga ai ish-jugosllav në vitin 1991. Beqir Aliu në vitet më të vështira, ato të 90-ta, ishte ndër njerëzit e parë që i tha “jo” ish-regjimit serb. Gjatë kësaj kohe, disa herë, ishte marrë nga agjentët serbë të sigurimit, të cilët, me çdo mjet e mënyrë, luftonin pavarësimin e sportit në Kosovën e pushtuar.

Emri dhe vepra e Beqir Aliut është shkruar me shkronja të arta në historinë e lirisë së Kosovës. Vdekja e tij është një humbje e madhe, por veprat e tij do të jenë udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!
Ai më nuk do të jetë në mesin tonë fizikisht, por veprat e tij atdhetare do të jetojnë për sa të jetë jeta, duke qenë modeli më i mirë i një atdhetari. Jam krenar që e pata një mik të madh si Beqir Aliu. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Aliu, shokëve, miqve, kolegëve e komunitetit sportiv. Lamtumirë, miku im i shtrenjtë!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë