Dhunë në një familje në Drenas, babai rrah vajzën e tij – tenton ta sulmojë edhe bashkëshorten

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në fshatin Korroticë e Poshtme në Drenas, ku kryefamiljari dyshohet se ka rrahur vajzën e tij dhe më pas ka tentuar të ushtrojë dhunë fizike edhe ndaj bashkëshortes.
Sinjali mëson se si pasojë e dhunës së përjetuar, gruaja bashkë me vajzën 18-vjeçare kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e kanë denoncuar edhe në Polici. Bazuar në dëshminë e tyre, i dyshuari ka ushtruar dhunë pas një mosmarrëveshje që e bija ka pasur me të.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që ndaj tij të iniciohet rasti për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.