Merr veturën e 20 mijë eurove me qira te aeroporti dhe zhduket

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët marrin vetura me qira dhe shkelin marrëveshjet që bëjnë me bizneset për shfrytëzimin e tyre. Shpesh ato automjete nuk kthehen në kohë, shiten, ose ‘zhduken’, çka i detyron pronarët e kompanive të kërkojnë ndihmë nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur edhe në ‘Sixt Rent a Car’ në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ku një shtetas turk dyshohet se kishte marrë me qira një veturë, që kap vlerën e rreth 20 mijë eurove, por më pas nuk e ka kthyer në kohë, siç ishin marrë vesh.

Përballë kësaj situate, pronari i kompanisë është detyruar që të denoncojë rastin në Polici, nën dyshimet se janë mashtruar, me ç’rast ka deklaruar se i dyshuari ishte i detyruar që veturën ta kthejë para një jave, por një gjë të tillë nuk e ka bërë.

Si rezultat i denoncimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet për lokalizimin e të dyshuarit dhe kapjen e tij, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi”.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që në çfarëdo mënyre tjetër mashtruese dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore mashtron dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë