Punëtori futet në sherr: Ia thyen xhamin e ia dëmton fasadën shtëpisë që e rregulloi, pronari s’ia dha paratë siç deshi

Personat që kryejnë punë ndërtimtarie shpeshherë hasin në telashe me qytetarët të cilët i kontraktojnë për të ndërtuar shtëpitë e banimit apo objekte tjera të ndryshme. Zënkat më të mëdha bëhen rreth mënyrës së pagesës, të cilën me raste nuk e marrin fare ose e marrin ndryshe nga ajo që janë marrë vesh në fillim, raporton Gazeta Sinjali.
Për një rast të tillë që ka ndodhur dje në rrugën ‘Gaco Kanda’ në Pejë, ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Pejë, me ç’rast një person është ndaluar.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se një 46-vjeçar dyshohet se në shenjë revolte për pagesën që s’e mori siç duhet, i ka shkaktuar dëme materiale pronarit të shtëpisë në të cilën punoi për ditë të tëra. I dyshuari ka thyer një xham dhe ka dëmtuar fasadën e jashtme, e po ashtu ka dëmtuar edhe pjesë të tjera të shtëpisë, duke i shkaktuar kështu dëme të mëdha.
Përballë kësaj situate, pronari i shtëpisë ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer në tërësi ngjarjen se si ka ndodhur.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar, por kjo s’ia ka lënë shenjë, pasi që edhe gjatë intervistimit në Polici, ai ka kërcënuar pronarin e shtëpisë, duke thënë se do ketë probleme me të posa ta takojë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktojë masën e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë’ dhe ‘Kanosje’.