Kërcet dajaku në një biznes, punëtori 60-vjeçar godet me shqelma kolegun e tij

Jo rrallëherë ndodhin përleshje mes punëtorëve në biznese të ndryshme në Kosovë. Ato shpesh eskalojnë në kërcënime e sulme, për çka intervenon Policia. Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje në fshatin Gjonaj të Prizrenit.

Sinjali mëson se dy punëtorë janë përleshur fizikisht mes vete në vendin e punës, me ç’rast një 34-vjeçar ka pësuar lëndime trupore.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari është S.B., 60-vjeçar i cili e ka goditur kolegun e tij me shqelm, pas një mosmarrëveshje që kanë pasur me njëri-tjetrin në vendin ku punojnë.

Për pasojë, viktima që u sulmuar është dërguar me urgjencë për në Spitalin Rajonal në Prizren, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

I dyshuari është shoqëruar në stacion për intervistim dhe pasi ka dhënë deklaratën në lidhje me rastin ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë