Ramiz Lladrovci: Peshko vota në Drenas e ikë deri në zgjedhjet tjera

Opinion

Është për keqardhje ku ka rënë solidariteti dhe mungesa e ndjeshmërisë për tjetrin. Në fushatat elektorale, të gjitha partitë në komunën tonë e kishin plotë gojën me Drenas, sot, kur flitet për buxhet, Drenasi mungon.

Teksa diskutohej Projetktligji mbi ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2023, u interesova për të pasur qasje në raportin me amendamente të propozuara nga Komisioni për buxhet në cilësi të komisionit funksional, por edhe të deputetëve individualë.

Në këtë raport nuk e gjeta asnjë projekt kapital në të mirë e qytetarëve të Drenasit, madje as nuk kishte propozime nga deputetët e kësaj ane, pavarësisht subjekteve politike.

Kur i kam ftuar qytetarët e komunës së Drenasit, të votojnë vetëm kandidatët për Parlament nga komuna e Drenasit, mora edhe kritikë nga partia që përfaqësoj por u bënë edhe shumë thashethëme, pse veprova ashtu.

Motivi që më ka shty për të ftuar qytetarët në bastionin e PDK-së të votojnë vetëm kandidatët e komunës tonë por edhe qytetarët e partive tjera të votojnë vetëm për bashkëqytetarët tanë, ishte bash për ditën e sotme, kur flitet për Buxhetin e vitit të ardhshëm.

Kritika themelore kundër meje në atë kohe ishte se krejt Kosova është një njësi zgjedhore.

Po, dita e sotme dëshmon se edhe pse Kosova është një njësi zgjedhore, jo vetëm deputetët e PDK-së, por edhe të partive tjera që morën në Drenas vota me grusht, nuk ua zë goja Drenasin dhe projektet as kërkesat tona për Buxhetin e vitit 2023.

Nuk pati deputetë që do ta përmendte rrugën 9 km me katër korsi e filluar vite më parë dhe e gatshme për ta finalizuar, ujëmbledhësin e Vërbocit, kolektorët për ujëra të zeza dhe projektet tjera me rëndësi për qytetarët e Drenasit.

Në të ardhmen, e pyes veten, sa do të kenë moral të kërkojnë vota në Drenas kandidatët për Parlamentin e Kosovës.

Mësim për tjetër herë se kë do ta votoni o qytetarë të Drenasit!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë