Manipuloi kilometrat e veturës duke i zvogëluar për 78 mijë, Policia nis hetimet për mashtrim

Vetëm në dy javët e fundit, Gazeta Sinjali ka raportuar për disa raste të mashtrimeve që janë raportuar në Policinë e Rajonit të Ferizajt, në lidhje me manipulimin me kilometrat e automjeteve. Burimet thonë se edhe një rast tjetër është denoncuar së fundmi, me ç’rast Policia ka nisur hetimet.
Siç mëson Sinjali nga burimet brenda Prokurorisë, i dyshuari me inicialet M.S., ka manipuluar, duke ia zvogëluar kilometrat veturës së tij për mbi 78 mijë. I riu që po dyshohet për mashtrim është zbuluar nga Policia dhe për pasojë është futur në telashe me ligjin.
Fillimisht vetura e tij i ishte nënshtruar kontrollit teknik në një qendër kontrolli, ku kishte pasur shifër tjetër të kilometrave të kaluara, por kur është kontrolluar në qendrën tjetër, është vërtetuar se kilometrat kanë ndryshuar.
Sipas të njëjtave burime, edhe Prokurori i Shtetit në Prokurorinë Themelore në Ferizaj është vënë në dijeni për rastin dhe ka urdhëruar nisjen e hetimeve.