Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Fitorja Diplomatike
Shkruan: Dr. Lulzim NIKA
(Vazhdim i pjesës së parë)
Pakënaqësinë e shqiptarëve të Kosovës e parashikonin në një kryengritje të përgjithshme që do të zgjatë për disa vite e ndoshta edhe afër një dekade. Duke parashikuar se shqiptaret do të armatosen kryesisht vetëm nga shteti shqiptar që kishte një armatim kryesisht sovjetik dhe kinez, që ishte vështirë të vihet shpejtë te dëshira e shqiptarëve të Kosovës për largimin e forcave serbe.
Edhe pse kishte disa organizime të shqiptarëve të Kosovës për rezistencë të armatosur që kishin edhe disa pajtime me shtetin shqiptare për përkrahjen e në luftën e drejtë për liri. Kjo ide nuk u përkrah nga diplomacia e kohës e sidomos ishte e kundërshtuar nga anglo amerikanët, duke parë si rrezik dhe mundësi që Serbia t’i përdorë si pretekst për pastrimin etnik të Kosovës. Diplomatet e kohës ishin të informuar për planet e shqiptarëve dhe shkuarjen në Shqipëri që organizonin edhe partitë shqiptare të Kosovës e sidomos mërgata shqiptare ishte me e zëshme në kërkesën për hapjen e frontit të jugut duke parë si raste ideale për të shfrytëzuar momentin kur serbët do të ballafaqohen me kroatët dhe boshnjakët. Në bazë te hulumtimeve të bëra në disa dokumente të kohës del si ishin diplomacitë e kohës që ndikuan në shtyrjen e hapjes së konfliktit në Kosovë gjatë viteve 1991-1992, duke mos e përkrahur dhe duke kërkuar nga lideri i shqiptarëve të Kosovës që t’i dënonte këto veprimtari të grupeve të armatosura që nuk do të jenë në dobi të zgjidhjes së drejtë të statusit politik të Kosovës. Këtë e deklaron në vitin 1992, sekretari britanik Douglas Hurd, në një takim të KE në Bruksel, “dje pasi e vizitova Shqipërinë dhe Jugosllavinë, gjendja në Kosovë mund të shpërthejë dhe do të ndodhë një katastrofë në rast të konfliktit”.
Në nëntor të vitit 1997, UÇK-ja u paraqit për të parën herë e uniformuar në një manifestim publik. Shkas ishte vrasja e mësuesit nga Llausha e Drenicës, Halit Geci, në varrimin e të cilit ushtarët e UÇK-së, të maskuar deri atëherë, për shumicën e vëzhguesve të Ballkanit u duk se kishte ndodhur një ngjarje e pritur tepër gjatë. Në planin e brendshëm, ajo bëri që çështja e Kosovës të arrijë pikën kulmore në agjendën e fuqive ndërkombëtare të zgjidhjes së drejtë të padrejtësive shekullore ndaj shqiptarëve. Kthesën historike të angazhimit ndërkombëtar për Kosovën e përbën faktori politik dhe ushtarak që nuk bënin kompromis pa lirinë e Kosovës përkundër paralajmërimeve të diplomatëve ndërkombëtarë që nuk do të kenë përkrahjen për luftë të armatosur.
Deri në daljen në skenë të UÇK-së, shqiptarët me vite të tëra ishin përqendruar në njohjen dhe sensibilizimin e opinionit të jashtëm me problemin e Kosovës por nuk kishte ndonjë efekt të dukshëm në ndryshimin e gjendjes në Kosovë.
Ishin shenjat e fillimit të luftës së armatosur kundër Serbisë. Millosheviqi dhe regjimi i tij vazhdon të mban Kosovën nën masa të dhunshme, apo me mirë të thuhet nën gjendjen të jashtëzakonshme ushtarako-policore, ku vetëm në vitin 1995, forcat serbe kishin vrarë në mënyrë arbitrare 11 shqiptarë, kishin plagosur 11 të tjerë, dhe kishte arrestuar 2.500 shqiptarë të Kosovës të rrahur e të keqtrajtuar në të shumtën e rasteve dhe sipas ,,Human Rights Watch”, Serbia e mbante nën kontroll Kosovën duke zbatuar shkelje të qëllimshme, në shkallë të gjerë dhe të organizuar të drejtave të njeriut të shqiptarëve të Kosovës, duke i shtyrë drejt vetëmbrojtjes së armatosur
Pas konflikteve në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje edhe shqiptarët e Kosovës ishin të vetëdijshëm se me Millosheviqin është vështirë të ketë zgjidhje paqësore për statusin e Kosovës. Gjatë vitit 1991, por sidomos në vitin 1992, ishte arritur një marrëveshje në parim me shtetin shqiptar dhe Qeverisë së Kosovës, për ndihmë të shqiptarëve të Kosovës në rast të konfliktit në Kosovë. Në një analizë te CIA-s të vitit 1992-1993, i bëhet një analizë e detajuar fuqisë ushtarake të shtetit shqiptar dhe vije në përfundim se me këto kapacitete, ishte e pa mundur që t’i kundërvihet fuqisë ushtarake të Serbisë. Diplomatët amerikanë u sugjeruan në takime me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Kosovës, që mos të përkrahët hapja e frontit të jugut në asnjë mënyrë se pasojat për shqiptarë e Kosovës, do të jenë të pa parashikueshme me një Shqipëri që i mungonin kapacitetet teknike dhe teknologjia moderne ushtarake. Për ketë arsye, amerikanët ishin të prerë në qëndrimet e tyre për Kosovën se vetëm me rrugën paqësore duhet të kërkohet të zgjidhët çështja e Kosovës, format tjera nuk do të përkrahën.
Grupet e armatosura të shqiptarëve edhe pse ishin të organizuara gjatë viteve 1991, siç ishte grupi i Adem Jasharit nga Drenica, nuk u përkrahën nga politika e Tiranës zyrtare, më vonë as nga ajo në Prishtinës. Ne bazë të analizave të kohës, shihet se shpërbërja e Jugosllavisë do të fillonte nga veriu drejtë jugut, me qëllim që pasojat të jene më të vogla për popullsinë civile. Nga kjo analizë, Kosova mbetet e fundit në tavolinën ndërkombëtare të negociatave për zgjidhjen e statusit politik.
Në analizën e vitit 1995, të drejtorisë së analizave për Ballkanin, Strobe Talbott, Kosovën e përshkruan si interes suprem i SHBA-vë. Edhe ambasadori i fundit amerikan në Jugosllavi i kishte sugjeruar Ibrahim Rugovës qe më e rëndësishmja është të ruhet populli i Kosovës në këto rrethana, nga ndonjë masakër të organizuar dhe të planifikuar i shtetit të Serbisë.
Kjo ju kishte thënë I. Rugovës edhe në takimin me sekretarin e shtetit, në selinë e NATO-s në dhjetor të 1992, se nuk duhet të provokohet Serbia nga shqiptarët, në këto rrethana, në asnjë mënyrë. Rugova deklaron pas takimit se amerikanët nuk kërkojnë të heqim dorë nga kërkesat tona për pavarësi por kërkojnë kujdes nga shqiptarët e Kosovës.
Lëvizja çlirimtare si lëvizje përbashkuese e të gjitha formave të rezistencës aktive, ka qenë vijimisht e pranishme në jetën e shqiptarëve të Kosovës. Qysh në mesin e viteve të ’80-ta të shekullit të kaluar, në perëndim ekzistonte një organizatë me ndikim në mërgatën e re shqiptare, e njohur me akronimin LPK (Lëvizja Popullore e Kosovës), e cila trashëgonte qëndrimin për bashkim të ri të shqiptarëve.
Në qytetin Untergrupenbah të Gjermanisë, më 17 janar, nga policia e fshehtë jugosllave u vranë vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, si dhe Kadri Zeka, udhëheqës ideorë të kryengritjes së shqiptarëve të Kosovës. Ata përfaqësonin Lëvizjen për një Republikë Shqiptare në Jugosllavi.
Në po këtë vit u themelua Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK). Qëllimi i saj u deklarua lufta kundër titizmit, me kërkesën kryesore për Republikën e Kosovës. Po kështu LPK kërkonte edhe lirimin nga burgjet jugosllave të veprimtarit kombëtar simbolit të rezistencës më i njohuri në Kosovë, Adem Demaçit.
Në prill të vitit1985, u bë bashkimi, shkrirja e grupeve ilegale. Ku Fehmi Lladrovci ishte zgjedhur që të merret me organizimin ushtarak të luftës guerile si fillim deri të masivizimi në Luftën frontale për lirinë e trojeve shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia. Fehmiu ishte në koordinim me shumë idealistë të ilegales së kohës që besonin se vetëm me organizimin e rezistencës së armatosur, Kosova do të fitojë lirinë, që atëherë dukej aq e pamundur, duke marrë parasysh fuqinë ushtarake dhe politike të Jugosllavisë.
Që më 1992, lëvizja çlirimtare shquhej me aksione të njëpasnjëshme kundër milicisë serbe të vendosur në Kosovë. Aksionet e para të UÇK-së, janë të lidhura me fundin e këtij viti dhe fillimin e vitit 1993. Komunikatat e aksioneve të para të UÇK-së, nuk janë botuar në shtypin shqiptar, deri në komunikatën e 20-të. Në Beograd UÇK-ja u cilësua si “forcë terroriste’’.
Me 27 prill 1998 kur lufta e UÇK-së në Kosovë kishte filluar të merrte formë, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së lëshoi një deklearatë politike në të cilën shpall…
Lufta e UÇKsë ka një karakter mbrojtës dhe çlirimtar…
UÇK dënon me forcë terrorizmin dhe forma të tjera të dhunës kundër popullësis civile…do ti respektojë të gjitha konventat ndërkombëtare të Luftës…
UÇK i përket dhe do ti përkasë popullit…
Më 1996 “Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së botonte një buletin, në të cilin njihte aksionet e veta dhe botonte komente për ngjarjet politike të ditës”.
Në majin e vitit 1997, një grup i djemve që besonin ne idealin e lirisë nëpërmjet luftës së armatosur dhe ishin të vendosur në rrugën për çlirim, të gjithë të bashkuar në Tiranë vendosën që të hyjnë në Kosovë për t’i ndihmuar njësitë e UÇK-së që vepronin në Kosovë. Viti 1996 e sidomos 1997, shënon një veprimtari të organizuar me aksione dhe komunikata të UÇK-së në gjithë Kosovën.
Rënia e heroit Luan Haradinaj në maj të vitit 1997, sensibilizoi opinionin ndërkombëtar, që kishte ndryshuar kursi i politik i shqiptarëve të Kosovës që ishin injoruar nga konferencat ndërkombëtare për një zgjidhje paqësore.
Politika paqësore kishte humbur përkrahjen te një pjesë e shqiptarëve që nuk shpresonin në një zgjidhje paqësore të problemit të Kosovës.
UÇK-ja në fillim hasi në një rezistencë të politikës shqiptare si në Prishtinë po ashtu edhe në Tiranë duke mohuar ekzistencën e një grupi të armatosur të organizuar. Deklaratat e diplomatëve perëndimorë dhe disa liderëve vendorë ishin në mohimin dhe qasjen e ashpër të veprimtarisë dhe aksioneve të UÇK-së këtë e dëshmon edhe letra e drejtuar presidentit Klinton nga Kryeministri i Kosovës, gjatë vitit 1993. Në ketë letër shihet se i mungonin informatat për aksionet e hershme të UÇK-së i sheh si veprime të grupeve rivale serbe qe donin të destabilizonin Kosovën.
Në mungesë të guximit dhe punës së Qeverisë së Kosovës për të organizuar luftën e armatosur për lirinë e Kosovës që ishte e obliguar dhe kishte të gjitha mundësitë për organizim, këtë punë e merr përsipër dhe e organizon Lëvizja Popullore e Kosovës. Qeveria e Kosovës në ekzil, kishte përgjithësi për të mbrojtur popullin shqiptar në Kosovës, por fatkeqësisht këtë rol nuk e luajti vetëm organizimi i vonshëm i saj sa krijoi përçarje për primatin e organizimit të luftës në Kosovë. Por, ishte Adem Demaçi ai i cili pranoi për herë të parë, në dhjetor1997, ekzistencën e UÇK-së, në këtë kohë, kishte paqartësi të politikanëve rreth ekzistencës së UÇK-së.
Më 28 shkurt 1998, pas një dinamizimi të diplomacisë ndërkombëtare që vizitonte Tiranën dhe, duke sugjeruar një politikë të përmbajtur pas aksioneve të UÇK-së. Në të njëjtën ditë, ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë për t’u informuar më shumë për UÇK-në, në Mynhen të Gjermanisë takohet me Fehmi Lladrovcin, diplomatin dhe njeriun e parë të ngarkuar nga Lëvizja për organizimin e Luftës së armatosur në Kosovë. “Lladrovci më informoi se veprimet dhe aksionet e armatosura nuk do të ndalen në Kosovë por vetëm do të shkojnë drejt masivizimit. Në të njëjtën ditë, mora lajmin për masakrën e Likoshanit dhe Qirezit, pas daljes nga takimi me Fehmiun, ku kishin pësuar shumë civilë shqiptarë përfshirë fëmijë dhe një grua shtatzënë që ishin masakruar nga forcat policore serbe.
Ofensiva e parë serbe kundër UÇK-së, nisi në mars të vitit 1998, të vlerësuara si “Luftë etnike’’, sipas modelit të luftërave në Bosnjë dhe Kroaci. Ne maj vitit 1998, delegacioni i Kosovës me ndërmjetësimin amerikan takohet ne Beograd me Millosheviqin që më pas të hapen dyert për herë të parë në takim në Zyrën Ovale të Shtëpisë se Bardhe dhe të priten nga presidenti Bill Klinton, delegacionit i printe Lideri i shqiptarëve të Kosovës Ibrahim Rugova, (kështu shkruante në agjendën e Shtëpisë së Bardhë në Uashington, më 26 maj vitit 1998). Në fillim të qershorit S. Milloshoviqi kishte udhëtuar në Moskë për të njoftuar Presidentin rus Boris Jelcin për Kosovën. Ai kishte premtuar se do të respektonte Rezolutën e marsit dhe vendimet e Grupit të kontaktit për negociata për autonomi të Kosovës. Millosheviqi i kishte premtuar B. Jelcinit se Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës do ta zhdukte dhe nuk do të jetë faktor politik siç dëshironin amerikanët. Përballimi i ofensivës së verës së vitit 1998, ishte vendimtar për Kosovën dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në të njëjtin muaj dhe vit, amerikanët kishin marrë vendim që të legjitimonin politikisht përfaqësuesit e UÇK-së. Si pasojë e këtyre ofensivave, sipas të dhënave të OKB-së, në vjeshtën e vitit 1998, nga Kosova morën arratinë 230 mijë njerëz. Jo luftë kundër UÇK-së, por para se gjithash terror dhe dëbim i popullatës shqiptare, ishte qëllimi i vërtetë i luftës serbe. Përbërja etnike në Kosovë duhej të ndryshonte përgjithmonë dhe kjo mund të bëhej vetëm me terror dhe dhunë brutale, gjë që e parashihte edhe programi serbomadh.
UÇK përshkoi një rrugë të mundimshme të rritjes, derisa në mars 1998, mori përpjesëtime të gjera. Nga qarqe të ndryshme të jashtme antishqiptare, ajo u cilësua me emra të ndryshëm si: “Grupim njerëzish të frustruar’’, “që i ka bashkuar dëshpërimi’’, etj. Por, UÇK-ja u njoh për herë të parë si faktor i rëndësishëm politik nga administrata politike amerikane në takimin e 19 qershorit të vitit 1998, nga vendimet e Këshillit për Siguri Kombëtare të ShBA-së, ku nder të tjera u mor vendim që UÇK-ja të jetë pjesë e negociatave për të ardhmen e Kosovës. Zëdhënësi i parë i UÇK-së, një nga figurat e shquara për veprimtari atdhetare edhe më herët, u bë Jakup Krasniqi. Lufta e drejtë dhe e vendosur e UÇK-së i dha legjitimitetin ndërkombëtar duke e bërë faktor vendimmarrës si lëvizje ndërkombëtarisht të pranuar.
UÇK-ja u bë katalizator i ngjarjeve në Kosovë. Ajo përshpejtoi perceptimin e krizës, më shumë se kurrë ndonjëherë më parë, për një zgjidhje reale dhe afatgjate. Fillimisht, njerëzit e angazhuar në UÇK ishin të paktë, ata më të devotshmit, më trimat, më sakrifikuesit, më të ndërgjegjshmit, kryesisht anëtarë të LPK-së.
Më 1992, Kosova e kishte formacionin e parë të armatosur, me komandant Adem Jasharin, në Prekaz të Drenicës, në këtë “Çerdhe të kryengritësve shqiptarë”. Kulla e Shaban Jasharit ishte strumbullari rreth të cilit do të lidhen të gjitha formacionet e armatosura. Bashkërendimi i sulmeve të armatosura, shtrirja e UÇK-së dhe aksionet e suksesshme mbi milicinë armike ishin fryt i punës dhe ëndërr e komandantit Adem Jashari.
Më 5, 6, dhe 7 mars 1998, rrethimi i kullave të Jasharëve nga ushtria e policia serbe, ishte akti final për fillimin e luftës çlirimtare me mesazhin që dha komandanti Adem Jashari. Kjo është epopeja më e madhe dhe më e lavdishme, por edhe më tragjikja e UÇK-së. Rënia e Komandantit legjendar, flijimi familjar i Jasharëve legjendarë, hapën një epokë të re të lavdisë e të tragjedisë në historinë tonë të re.
Përderisa bota prirej drejt frymës demokratike të integrimeve mes popujve, Serbia me metoda fashiste e gjenocidi synonte të përfitonte përmes planeve të Garashaninit e Çubriloviçit për të shfarosur shqiptarët. Vrasjet serbe në Kosovë të sillnin ndër mend vrasjet në Bosnjë e Hercegovinë. Por, tashmë njësitet e UÇK-së kishin zënë malet. Bijtë më të mirë të Kosovës po i fitonin betejat me gjakun e tyre. U krijuan edhe zonat e para të lira, nga ku u dëgjua për herë të parë zëri i “Kosovës së Lirë”. Në përballjen me UÇK-në, në lokalitete të ndryshme të Kosovës, ushtria serbe vriste me cinizëm kriminal njerëz të pafajshëm, digjte e shkatërronte çdo gjë që ishte shqiptare. Pas ofensivës serbe në verën dhe vjeshtën e vitit 1998, qeveria serbe do të deklaronte se kishte arritur të shkatërronte UÇK-në në gjithë Kosovën. Megjithatë kjo nuk ndodhi përkundër masakrave të ushtrisë serbe ndaj civilëve shqiptarë. Kujtojmë një prej masakrave më të përgjakshme, atë të shtatorit të vitit 1998 në Obri, ku u masakrua familjen Deliu duke mos kursyer as foshnja. Pamjet nga kjo masakër i tronditën diplomatët anglo-amerikanë. Në rrethana të këtilla historike, shoqërore, politike e kombëtare, UÇK-ja filloi shtrirjen në gjithë Kosovën. Ushtarët e UÇK-së u kujdesën për popullin e mbetur nën qiellin hapur para forcave paramilitare serbe, megjithëse me gatishmërinë dhe guximin për t’u përballur me pushtuesit kapacitetet teknike dhe ushtarak ishin të limituara. Diplomacia ndërkombëtare dhe bota demokratike e dëgjoi tashmë zërin e popullit të Kosovës dhe qëndresën e tij nën udhëheqjen e UÇK-së në luftën vendimtare për çlirim. Po në këtë kohë, diplomacia botërore të prirë nga SHBA-ja dhe NATO-ja, përcillte veprimet barbare e vrastare të ushtrisë serbe e të forcave paramilitare të regjimit serb ndaj popullit të Kosovës. Brutalitet i forcave serbe nga një anë, dhe lufta çlirimtare e popullit të Kosovës, në anën tjetër, përshpejtoi ardhjen e delegacioneve ndërkombëtare për t’u njohur drejtpërdrejt me luftën në Kosovë. SHBA-të dhe BE-ja, apeluan për ndërprerjen e represionit serb. U nënshkrua edhe marrëveshja Millosheviq – Holbruk, më 13 tetor të vitit 1998 në Beograd, duke u përcaktuar si pikë e mundshme kthese e krizës.
Marrëveshja e përbërë prej 11 pikave kishte mbështetje të plotë të NATO-s dhe të Grupit të Kontaktit, përfshirë edhe Rusinë. Për shumë arsye kjo konsiderohet si një e arritur shumë e madhe. Sipas kësaj marrëveshjeje, hapësira ajrore e Kosovës do të kontrollohej nga NATO. Si kurrë ndonjë herë në Kosovë do të veprojnë 2.000 vëzhgues të OSBE-së. Do të kthehen refugjatët shqiptarë si dhe do të fillonte procesi politik për zgjidhjen e problemit.
Gazeta ruse “Niezavisimaja Gazeta’’, në një artikull të saj, të datës 27.10.1998, thekson deklarimet e gjeneralëve Klark dhe Nauman lidhur me sigurinë e vëzhguesve, të cilët ia bënë të qartë Millosheviqit se ata do të mbrohen nga aviacioni i NATO-s. Marrëveshja lejonte edhe ardhjen e misionit diplomatik ndërkombëtar KDOM, që vepronte nën udhëheqjen politike të ambasadoreve të Grupit të Kontaktit, të ambasadorit austriak në Beograd, meqë Austria kryesonte BE-në. Përmes burimeve të inteligjencës si dhe të burimeve të tjera KDOM do të kuptonte për zonat e tashme apo të ardhshme të luftimit, përfshirë edhe mizoritë kundër civilëve. Pas Marrëveshjes Millosheviq – Holbruk, KDOM-i u shndërrua në Mision Verifikues të Kosovës.
Derisa mendohej për respektimin e armëpushimit serbët pabesisht ndërmerrnin vazhdimisht ofensiva gjakësore kundër popullatës në Kosovë. Thuhet se mosrespektimi i marrëveshjes ishte pasojë e mos përfshirjes së UÇK-së si palë në këtë marrëveshje. Kjo ishte edhe pika më e dobët e kësaj marrëveshjeje. Në këtë kohë, arrestohen tetë ushtarë serbë, nga njësitet e UÇK-së, të cilët u liruan vetëm me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve dhe duke i kushtëzuar me lirimin e ushtarëve të UÇK-së. Kjo qe fitore e madhe për UÇK-në, meqë Serbia u detyrua ta pranojë atë si palë edhe para ndërkombëtarëve. Për këtë, në librin e tij, Jakup Krasniqi do të shkruaj: “Ky rast ka qenë një ndër më të rëndit në jetën time; po të mos liroheshin ushtarët e UÇK-së, kisha vendosur të jepja dorëheqje…”
Mendoj se vlen të theksohet se edhe përkundër masakrave dhe shkatërrimit të shumë vendbanimeve nga forcat serbe në Kosovë, faktori politik shqiptar ishte i përçarë. Diplomatët amerikanë R. Holbruk dhe K. Hill, bënin përpjekje për të formuar një delegacion të Kosovës për bisedime me Beogradin, mirëpo përçarja e spektrit politik në Kosovë ishte shumë e theksuar dhe mungonte një adresë serioze në Prishtinë për diplomatët perëndimorë dhe amerikanë. I. Rugova pretendonte se kishte konfirmimin e duhur nga zgjedhjet e kontestuara që qenë mbajtur, kurse dy partitë e prira nga Rexhep Qosja, përkatësisht Adem Demaçi dhe UÇK-ja kërkonin një përfshirje të gjerë. Mungesa e një koordinimi të mirë të spektrit politik në Kosovë gjatë qershorit, korrikut dhe shtatorit mendoj se bëri që K. Hill të kthehet me afër liderit të LDK-së, e sidomos pas kërcënimit të Holbrukut se ne mund të largohemi. Rugova i përgjigjet “nëse ju thoni që Demaçi duhet të gjendet në krye të atij Këshilli, unë nuk kam gjë kundër”.
Më 19 qershor vitit 1998, Këshilli për Siguri Kombëtare me prezencën e të gjithë përfaqësuesve të institucioneve të Qeverisë së SHBA-së merr vendimin historik për UÇK-ë që përfaqësuesit e saj të jenë pjesë e negociatave për statusin e Kosovës. Me këtë vendim u njoftua Ibrahim Rugova që në grupin negociator të përfshihen edhe përfaqësuesit politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fillim të qershorit, i dërguari amerikan për Kosovën Kristofer Hill kishte takim në Malishevë me përfaqësues të UÇK-së dhe pas atij takimi, mori vendim që UÇK-ja duhet t’i ketë përfaqësuesit e vetë, se partitë aktuale në Prishtinë nuk mund ta përfaqësojnë. Mos uniteti i faktorit politik shqiptar ishte shumë i papranueshëm edhe për përfaqësuesit e qeverisë amerikane që ishin të vendosur për zgjidhjen e statusit politik të shqiptarëve të Kosovës që për ballë Serbisë përkundër përpjekjeve, e kishin pothuajse të pamundur ta detyronin që të tërhiqet nga Kosova. Edhe kundërshtarëve politikë të Rugovës u mungonte një koordinim dhe unitet i duhur. Dështoi edhe përpjekja rreth propozimit për të udhëhequr një qeveri ku do të përfshihej i gjithë spektri politik dhe ushtarak i shqiptarëve të Kosovës duke pasur mosmarrëveshje dhe deklarata kontroverse. Vetëm pas përpjekjeve të pareshtura të diplomatëve amerikanë, u arrit marrëveshja për formimin e grupit negociator të Kosovës me gjithëpërfshirje të spektrit politik. Më 26 shtator, në fshatin Obri të Epërme, forcat e policisë serbe kishin masakruar 21 anëtarë të familjes Deliu. Lajmi për ngjarjen zuri faqen e parë të “New York Times”, më 30 shtator 1998. Në të njëjtën ditë në Shtëpinë e Bardhë u mbajt një takim, ku Albright deklaron se “…fotografitë e masakrës të kujtojnë Srebrenicën dhe e kanë ditur se nuk duhet të lejonin përsëritjen e krimeve të tilla”.
Më 3 nëntor 1998 ambasadori Hill e fton në veturën e tij liderin e shqiptarëve të Kosovës, I. Rugovën që të vizitojë disa fshatra të zonave të luftës në Malishevë. “Njerëzit ngurruan në fillim kur e panë liderin e vet prej më shumë se një dekade. Pastaj u afruan dhe iu hodhën në krah rreth qafës, duke përshëndetur…U ndala për të kapur pamjen në tërësinë e saj…Po në këtë ditë pashë se Ibrahim Rugova ishte forcë që duhej bërë hesap dhe ndoshta kjo ishte arsyeja pse UÇK-ja dhe të tjerët ishin aq të ashpër me të”. Gjatë vitit 1998, diplomati amerikan i kishte ofruar disa plane konkrete për statusin e Kosovës si palës shqiptare po ashtu edhe qeverisë serbe, ku Kosovës i jepeshin kompetenca autonome duke ruajtur një prezencë të vogël ushtarake serbe në Kosovë.
Në këto plane nuk rrezikohej sovraniteti serb në Kosovë dhe nuk flitej për ndonjë mundësi për referendum, pas një afati të caktuar, ku popullsia shumicë e Kosovës do të deklarohej për pavarësi.
Këto plane të ndërmjetësuesit amerikan për Kosovë, Kristofer Hill, nuk u përkrahën as nga Beogradi dhe as nga politika në Prishtinë, duke mos u pajtuar që Kosova të mbetet nën ombrellën e sovranitetit serb. Shqiptarët kërkonin mundësinë që pas një faze kalimtare të shprehen me referendum për statusin e Kosovë. Serbia ndërkaq nuk ishte e gatshme të bënë kompromis as për një autonomi të gjerë të shqiptarëve në Kosovë, edhe pse me kushtetutën e vitit 1974, Kosova kishte shumë elemente të subjektivitetit shtetëror në federatën jugosllave, përfshirë mbrojtjen territoriale dhe elementin konstituiv të federatës.