Drenas/ Mbahet tryeza “16 Ditët e Aktivizimit” të Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës në Familje

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës në Familje, “16 Ditët e Aktivizimit”, u mbajt tryeza e radhës, ku temë kryesore e tryezës ishte dhuna në familje.

Përfaqësues të ndryshëm nga institucionet lokale morën pjesë në këtë tryezë, ndër ta ishin: Përfaqësues nga Zyra e kryetarit të Komunës së Drenasit, Koordinatorja e Njësisë për të Drejtat e Njeriut, përfaqësues nga zyra për të Drejtat e Grave nga Komuna e Drenasit, përfaqësues nga Gjykata Komunale, përfaqësues nga Njësia Kundër Dhunës në Familje nga Policia e Kosovës, përfaqësues nga Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Mbrojtësi i viktimave të dhunës, Drejtorë të shkollave si dhe përfaqësues nga zyra ndërlidhëse (LMT) e KFOR-it.

Pas fjalës hyrëse të drejtuar nga Koordinatorja e Njësisë për të Drejtat e Njeriut nga Komuna e Drenasit;

Fjalë përshëndetëse pati edhe përfaqësuesi nga Zyra e Kryetarit të Komunës, përkatësisht Shefi i Zyrës së Kabinetit, z. Berisha i cili ndër të tjera potencoi se Burimi i dhunës, qëndron te mosndëshkimi, heshtja e grave e vajzave që kanë përjetuar dhunë si dhe stigma. Këta tre faktorë kanë bërë që dhuna kundër grave është përshkallëzuar në përmasa alarmante.

Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave me kuadrin ligjor – zbatimi i ligjeve, buxhetimi gjinor, gratë në vendimmarrje, gratë në politikën lokale, gratë me biznese dhe pjesëmarrje në trashëgimi, janë disa nga detyrat tona në komunë, për ekzekutivin komunal.
Shumë nga këto detyra janë prioritet i Kryetarit Lladrovci dhe kabinetit të tij, më shumë se kaq, synimet tona janë realizimi i barazisë 50/50 në të gjitha fushat.

Ne zotohemi në përmbushjen e detyrave zyrtare dhe obligimeve ligjore që dalin nga ligjet në fuqi për barazinë gjinore dhe eliminimin e çdo lloj diskriminimi si dhe parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave. Kjo detyrë sa ligjore aq njerëzore na obligon për reflektim dhe veprim, çdo orë dhe ditë të vitit.

Tutje, në tryezë u fol për funksionimin e qendrave për punë sociale, për qëndrueshmërinë financiare të strehimoreve, mungesën e veprimeve të shpejta në rastet e ndarjes së pronës, trashëgimisë, divorcit, alimentacionit, dhe për veprime të tjera që shtojnë sigurinë e grave dhe vajzave në vendin tonë e që njëherit ngrisin besimin e tyre në institucione.

Diskutuesit u dakorduan se zhdukja e të gjitha formave të dhunës në familje duhet të jetë mision që duhet realizuar, ashtu që në këtë drejtim të angazhohen të gjitha institucionet përkatëse lokale e qendrore, shoqëria civile, OJQ-të, asociacionet e ndryshme, por edhe vet qytetarët.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë