Fotografi të papublikuara të UÇK-së në Drenicë

Shkruan: Haqif Mulliqi

Këto fotografi janë bërë në muajin maj të vitit të luftës 1998. Ndonjëra prej tyre është edhe e pabotuar (fotografia 2 dhe 3). Në fotografinë e dytë, ku shihem edhe unë, në këmbë (nga e djathta) qëndrojnë Heroi i Kombit, Ilaz Kodra (një mik imi i jashtëzakonshëm), Sami Lushtaku (në atë kohë zëvendës komandant i Zonës Operative të Drenicës, ndërsa fare në të majtë, është shoku i tyre nga orët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Nura. Pranë meje është Nezir Ismajli, gjithashtu luftëtar i hershëm i UÇK-së, në odën e të cilit në Prekaz kam kaluar kohë të konsiderueshme.
Fotografinë e përbashkët na e ka realizuar luftëtari Haxhi Bejta, një mik imi i jashtëzakonshëm, në shtëpinë e të cilit, në Prekaz, kam kaluar mëse 100 netë gjatë luftës 1998-1999.
E kam shkruar tek profili im, këtyre ditëve, se asaj nate e kam realizuar intervistën e parë më udhëheqës të UCK-së që, para publikut u shpërfaqen me emra dhe mbiemra të vetë dhe fotografi. Në fakt, që të tre këta: edhe Samiu, edhe Ilazi, edhe Jakupi, në këtë kohë kanë qenë të dënuar me shumë vjet burg (në mungesë) në procesin e vjeshtës së vitit 1996. Në aktvendimin e Gjykatës (e okupatorit serb) së Qarkut në Prishtinë, lidhur me ndjekjen që kishte filluar kundër Adem Jasharit, Ilaz Kodrës dhe 13 bashkëluftëtarëve të tyre, shkruan: PP. nr. 136/36, nga data 4.10.1996 me datën 6.10.1996 merr këtë aktvendim mbi zbatimin e hetimeve kundër: Adem Jasharit, Ilaz Kodrës, Besim Ramës, Avni Nurës, Jakup Nurës, Fadil Kodrës, Nuredin Lushtakut, Rafet Ramës, Sami Lushtakut, Rexhep Selimit, Hashim Thaçit, Sahit Jasharit, Zenun Kodrës, Ali Januzit dhe Idriz Asllanit. Shumica u dënuan në mungesë, përveç Besim Ramës, Idriz Asllanit dhe Avni Nurës që ishin të arrestuar nga policia serbe dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Fati e deshi që, përmes një loje të jashtëzakonshme, dhe me ndihmën e një mikut tim (hë për hë nuk ia përmend emrin) tek përkthyesi i aktakuzës në Gjykatën e Qarkut, e nxorëm dokumentin, të cilin, të shoqëruar me një intervistë të gjatë të avokatit dhe mikut tim, Bajram Kelmendit, i cili e mbronte Idriz Asllanin në këtë proces e botova të nesërmen, gjë që shkaktoi rrëmujë tek UDB-ja, ngase askush nuk e dinte se si na kishte rënë në dorë ai dokument.
E veçanta tjetër e botimit të asaj aktakuze qëndronte në faktin se , në atë kohë, Rexhep Selimi, që ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, po qëndronte në Prishtinë pa e ditur se edhe ai ishte i akuzuar.
Për këtë, jo njëherë, Rexha më është falënderuar duke e shtuar se, mbase, po të binte ai në duart e UDB-së, shumë gjëra kanë mundur të marrin një kahe tjetër më pas. Se Rexhep Selimin, ishte pjesë e aktakuzës, pasi që e kishte lexuar shkrimin tim, e kishte informuar Nait Hasani, i cili, edhe vetë do të arrestohet pas dy muajsh, po në Prishtinë. Ndërsa unë e kisha bërë atë publikim tek javorja “Zëri” pa e ditur se ç‘efekt do të prodhonte në atë kohë ajo, gjë që më bënë të ndihem mirë dhe i vlershëm për luftën tonë, edhe sot e kësaj dite.
Kësaj nate, në odën e Ilaz Kodrës, dikush prej miqve më tregoi se Samiu ishte i plagosur dhe kjo nuk ishte hera e fundit për të gjatë luftës. Më pas, në vjeshtë, kam rastisur, bashkë me profën, Emin Z. Emini kur është plagosur shumë rëndë edhe Jakup Nura; ndërsa miku im i madh, Ilaz Kodra, që në atë kohë ishte Komandant i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, pas një luftë të jashtëzakonshme, bie në altarin e Lirisë, në fshatin Shtuticë, më 30 prill të vitit 1999.
Mendoj se fotografitë që i botova aso kohe (mesmaj 1998) dhe intervista me Sami Lushtakun, Ilaz Kodrën dhe Jakup Nurën, që mund të konsiderohen edhe historike, për kohën dhe përmbajtjen që kishin, shënojnë një kthesë të jashtëzakonshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në komunikimin me medie dhe publikun.
Është një moment ai që e kujtoj gjithmonë dhe që e kam, jashtëzakonisht përzemër.
#perjetesishtuck

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë