Vdes profesori i njohur nga Drenica
Ka vdekur një ndër profesorët e parë nga Drenica në shkencat ekzakte (Fizikë), Prof. Dr. Skender Ahmetaj nga Radisheva e Skenderajt. Lajmin e ka dhënë nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e cila të njërin e kishte dajë.
“Me dhimbjen më të madhe, familja jonë ju njofton se sot ka ndërruar jetë më i dashuri ynë, babi, bashkëshorti dhe vëllau, Prof. Dr. Skender Ahmetaj. Homazhet pranë arkivolit bëhen nga ora 14:00 deri 15:30 në Radishevë. Varrimi i të ndjerit bëhet, me datë 27.10.2022 në ora 16:00, në fshatin Radishevë. Për vendin dhe kohën e pranimit të ngushëllimeve ju njoftojmë sot”, ka njoftuar Çitaku.
Kush ishte Prof. Dr. Skender Ahmetaj?
Prof. Dr. Skender Ahmetaj, një ndër profesorët e parë nga Drenica në shkencat ekzakte (Fizikë).
Skender Ahmetaj u lind në fshatin Radishevë të Skenderajt. Shkollën fillore e kreu në Runik, të mesmen në Mitrovicë, për të filluar studimet në Universitetin e Prishtinës. Studimet post diplomike i kreu në Zagreb të Kroacisë, ndërsa doktoraturën në Sarajevë.
Që nga viti 1982 është profesor në Universitetin e Prishtinës, ndërsa gjatë viteve 1992-1994 ka qenë drejtor i arsimit në Komunën e Skenderajt.
Gjatë karrierës së tij pati shumë publikime shkencore në revista botërore dhe është autor i shumë librave universitar dhe shkollorë.
Prof. Dr. Skender Ahmetaj, është shembull i dijes, mirësisë dhe vlerave njerëzore për shumë gjenerata që i arsimoi.