Po sikur të kishte ndodhur sot në Ukrainë? – Padyshim që do të ishte bërë sensacion ndërkombëtar

Shkruan: Kamber Demaku

26 shtatori i vitit 1998 ishte njëra ndër shumë ngjarjet heroike të asaj kohe. Momente lavdie përtej imagjinatës njerëzore që shënuan kthesë në historinë e lavdishme të Kosovës.

Ishte vitit 1998, pa telefona të mençur, pa rrjete sociale, pa televizione tona, për te dëshmuar atë që po ndodhte në frontet e luftës. Për më tepër një vend gati i harruar nga bota, i kapluar nga errësira e regjimit të Millosheviqit. Megjithatë shpresa po dukej në horizont.
Bota ende nuk kishin dëgjuar mirë se çfarë po ndodh në fshatrat e malet e Kosovës. Burra e djem, gra e vajza, tashmë kishin filluar të shfaqën gjithandej maleve të Kosovës, për na treguar se dielli do të lind përsëri në Kosovë.

Historia e mësuesit me tre ish-nxënësit e tij, zë vend padyshim në mesin e shumë ngjarjeve tragjike por edhe heroike njëkohësisht të asaj kohe.
Të armatosur mirë, pak metra larg shkollës, mësuesi me tre ish-nxënësit e tij kishin vendosur t’u bëjnë pritë ushtrisë serbe, që kishin mësyrë popullatën civile në fshatin Abri e Epërme.
Flaka e rezistencës e kishte zanafillën nga shkëndija e aktit vetëflijues të këtyre heronjve që ngjallën shpresën e lirisë dhe forcuan bindjen e triumfit për secilin nga ne.

Pas betejës se komandantit legjendar Adem Jashari, kishte ndodhur një mobilizim i jashtëzakonshëm gjithandej Kosovës për te kapur armët kundër këtij regjimi. Në Drenicë tashmë vetëm ishin larguar maskat, sepse mobilizimi “ilegal” kishte filluar kohë më parë në shumë fshatra të saj.
Valdet Xhemajli ishte pjesë e këtyre grupeve të para që kishte filluar në “ilegalitet” organizmin dhe përgatitjen e aksioneve të UÇK-së kundër forcave serbe.
Pas daljes në skenë të UÇK-së, fronti dhe betejat e luftës kishin ndryshuar. Llogoret po merrnin formë gjithandej fshatrave për t’i bërë rezistencë betejave frontale. E tillë ishte edhe beteja e 26 shtatorit 1998 në Abri të Epërme.
Forcat serbe ishin nisur në drejtim të popullatës civile që ishin të vendosur në mes të fshatit Abri – Terdevc dhe fshatit Murgë.
Mësuesi Vesel Demaku dhe tre ish-nxënësit e tij, Valdet Xhemajli me vëllain e tij Arbenin dhe Afrim Hajdaraj ishin vendosur pak metra larg shkollës fillore “Shote Galica” në Abri të Epërme. Forcat serbe nuk ishin në dijeni që dikush po i priste aty.
Ata ishin vendosur për të rezistuar deri në vetëflijim.
Meqenëse ishte ndër betejat e para frontale të UÇK-së, forcat serbe ende nuk kishin në dijeni se çfarë po i priste në malet dhe fshatrat e Kosovës.
Sulmi kishte filluar aq fuqishëm dhe në befasi, sa që linte pak mundësi rikuperimi strategjik për forcat serbe. Të gjendur në vështirësi dhe humbje te mëdha qe kishin pësuar, forcat serbe kërkuan edhe ndihmën nga ajri. Imagjinoni, kundër rezistencës së një mësuesi me tre ish-nxënësit e tij ishte përdorur edhe helikopteri.
Pasi kishte filluar t’u mbaronte municioni dhe të gjendur në vështirësi, ranë dëshmorë Vesel Demaku, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdaraj, ndërsa plagoset rëndë Arben Xhemajli.

Arbeni sot është dëshmitar i një beteje që për nga ana e peshës dhe rëndësisë së saj, ishte ndër betejat që la gjurmët e saj të forta për moralin e secilit ushtar të UÇK-së ne vazhdimet e saj.

Sot, 24 vite pas në kohë, liria e shtetësia e Kosovës buron më së shumti nga beteja e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si kjo e 26 shtatorit 1998.
Imagjinoni sikur lajmet nga lufta në Ukrainë të raportonin sot një ngjarje si kjo: “Mësuesi me tre ish-nxënësit e tij vritet duke mbrojtur popullatën civile pranë shkollës se tij”.
Natyrisht që do bëhej lajm gjithandej botës.

Bota po përparon, dhe bashkë me të edhe teknologjia, e cila na lejon të shohim beteja në luftëra të ndryshme në të gjithë botën.
Por të gjithë duhet ta kuptojmë se lufta e UÇK-së, dhe beteja si kjo 26 shtatorit 1998, janë mishërimi i vërtetë i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, që duhet të na bëjë krenar secilit nga ne.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë