Ganimete Musliu s’merr pjesë në Konventën e partisë: Do të vazhdoj të bëj opozitë ndaj dukurive shkatërruese brenda PDK-së

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka dalë kundër partisë së saj pas mbajtjes së Konventës Programore të PDK-së.
Ajo përmes një shkrimi të gjatë në Facebook ka kritikuar ashpër partinë e saj, dhe ka treguar arsyet e mos prezencës së saj në këtë Konventë.
Ajo tha se brenda partisë, disa individë kanë tendenca për të kontrolluar gjithçka dhe për të përjashtuar çdo gjë që nuk ju shkon atyre për shtati.
Megjithatë, Musliu tha se do të qëndrojë në PDK që të bëj opozitë të fortë kundër partisë në pushtet, por thotë se do të vazhdojë të bëjë opozitë edhe ndaj dukurive shkatërruese brenda PDK.
“Elektorati i PDK-së, ka mbetur vetëm dhe pa një vizion të qartë të Partisë, prandaj për hir të atyre qindra mijëra votuesve dhe mbështetësve të vërtetë të PDK-së, nuk mund ta marr përgjegjësinë e heshtjes. Do të qëndroj fuqishëm në PDK dhe do të vazhdoj të bëj opozitë të fortë kundër partisë në pushtet, por do të vazhdoj të bëjë opozitë edhe ndaj dukurive shkatërruese brenda Partisë sonë. Do të përpiqem të jem zëri i atyre që nuk dëgjohen në PDK. Këtë ua kam borxh të gjithë atyre që Partinë Demokratike e duan dhe e mbështesin në çdo kohë dhe në çdo rrethanë”.