I riu kapet mat me narkotikë në Drenas, iu thotë policëve se është përdorues i drogës

Konsumimi i drogës është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre. Një rast i tillë është zbuluar edhe mbrëmë në mesnatë, në Drenas, ku gjatë patrullimit në një pikë kontrolli, Policia ka ndaluar disa persona, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Gjatë kontrollimit të të dyshuarve, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar nga njëri prej të rinjve një mjet të mprehtë, thikë, mulli për bluarjen e substancës narkotike dhe një sasi të narkotikëve, që janë sekuestruar si prova.
Për shkak të posedimit të drogës, thikës e pajisjes për përgatitjen e substancës narkotike, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën për të cilën ngarkohet. Sinjali mëson se gjatë dhënies së deklaratës, i riu i ka njoftuar Policinë se është përdorues i narkotikëve.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor së bashku me sendet e sekuestruara me rastin e kontrollit policor.