“100 pikëpyetje kanë me na përcjellë gjithë jetën…” – miq e kolegë kujtojnë instrumentistin Bledar Bujupi nga Arllati

Shkrim nga gazeta Nacionale:
Të gjithë janë të veshur zi. Të gjithë me instrumentet e tyre. Të gjithë të përlotur. Ky koncert është koncerti që ata nuk do të donin ta bënin kurrë. është koncert në nderim të kolegut dhe mikut të tyre që sapo e kanë humbur. Nacionale ishte në mbledhjen komemorative të kornistit të Filharmonisë së Kosovës, Bledar Bujupi.
Disponimi është i zymtë dhe dëgjohen vetëm përshpërima. Salla fillon të mbushet, por askush nuk ndihet rehat të rrijë ulur. Shumica nga ta e kanë njohur personalisht, deri para disa ditësh kanë performuar bashkë, kanë qeshur së bashku dhe askush nga ta nuk e mendonte ikjen e tij. Bledar Bujupi, instrumentist i njohur i Filharmonisë së Kosovës, Bandës së FSK-së e shumë orkestrave të tjera, ka vdekur më 22 gusht në banesën e tij.
Të qarat shpërthejnë kur anëtarët e familjes së Bledarit, nga Orllati i Drenasit, hyjnë në sallën e Pallatit të Rinisë, të cilët priten nga instrumentistë e të pjesëtarë të tjerë të Filharmonisë së Kosovës. Tashmë askush nuk mund ta mbajë veten nga emocionet e mëdha. Nëna e tij dhe të tjerë familjarë gjithashtu kanë emocione të forta. Djalin e saj, familjarin e tyre, sapo e kanë varrosur, dhe tashmë po vinin në një ceremoni që e kanë organizuar kolegët e tij.
Pas një pauze heshtje në sallën ku dëgjoheshin vetëm ecjet e atyre tek po zinin vendet, në skenë del drejtori i Filharmonisë së Kosovës, dirigjenti Baki Jashari. Ai e përshkroi Bledarin si një instrumentist i cili qysh në fillimet e tij, u pozicionua shumë shpejt në vendin e parë të seksionit të Kornove brenda Orkestrës Simfonike.
“Për ne që e njohëm për shumë vite me radhë, është tejet e vështirë ta pranojmë faktin se Bledarin nuk do ta kemi më në mesin tonë, e i cili rrugëtoi për një dekadë të tërë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës”, tha Jashari, duke shtuar se Filharmonia ka humbur një kuadro “tejet specifik dhe vështirë të zëvendësueshëm”. (Shkrimi vijon poshtë reklamave👇)
Koncerti i parë pa Bledarin
Disa ditë para se Bledari të gjendej i vdekur në banesën e tij, ai ishte shfaqur në një video duke performuar në një anije të vogël së bashku me disa kolegë të tij diku në një det.
Kujtime të tilla së bashku me Bledarin kanë shumica e instrumentistëve të Orkestrës së Filharmonisë. Jashtë Filharmonisë, Bledari ishte i angazhuar edhe në kuintetin e Tungjit, “Prishtina Brass” me të cilët pati paraqitje të suksesshme brenda dhe jashtë vendit. Ky kuintet hapi edhe koncertin në nderim të anëtarit me të cilin kishin shumë kujtime.
“Ky është koncerti jonë i parë pa Bledarin. Është shumë e rëndë”, thotë një nga anëtarët e “Prishtina Brass” teksa nisin performancën e tyre. Pas tyre, në skenë dalin anëtarët e Orkestrës së Filhamronisë së Kosovës”. Lotët nuk mund t’i mbajnë gjatë tërë kohës familjarët e të ndjerit. Dukej se çdo tingull ua kujtonte një moment me të. Kujtimet me Bledarin të gjithë i shprehën në një libër të kujtimeve që ishte hapur për ta.
Kujtimet me Bledarin
Familjarët e Bledarit, të cilin e kanë quajtur shkurt Bledi, nuk mund ta pranojnë dhe të pajtohen me faktin se ai më nuk jeton. Fjalitë për të, në ato momente janë të shkurtra.
“Bled vllau jonë, na djege shpirtin. Shija pa ty nuk ka gëzim mo. Bled, na ban hallall, e shpirti yt pushoftë n’paqe. Qofsh banor i xhenetit”, ka shkruar Loresa Bujupi.
”Na lë krenar i paharrruari jonë, Bled”, ka shkruar Ornela Bujupi, një tjetër familjare.
Kujtimin për Bledar Bujupin, në pamundësi për të qenë prezent, e kishin çuar përpara në një letër, Ambasada e Britanisë në Kosovë. Zëvëndës-ambasadori Jacob Webber kishte shkruar në emër të ambasaorit dhe gjithë Ambasadës.
“E kujtojmë atë si një shok…”, shkruante ndër të tjera zv. ambasadori. “Pusho në paqe”, është fjalia që shumë të tjerë shkruan në kujtimet e tyre. Duket se nga dhimbja u mungonin fjalët. Të gjithë mezi shkruanin teksa qanin.
Por disa kishin kujtime të ndryshme. Ajmone Dhomi, që ka punuar me Bledarin në Orkestër, shkroi se ai ka lënë zbrazëti të madhe në Orkestrën e Filharmonisë.
“Linde kur terri i luftës e mbuloi Kosovën. Tani, kur filluam ta gëzojmë lirinë, e qe me shumë mund i krijuam kuadrot, me veçanti instrumentin e tunxhit, e le vendin bosh”, shkruan Dhomi në kujtimin e saj.
Të tjerë shokë të Bledarit kanë shkruar kujtime që kanë pasur së bashku. Shumë prej tyre e pranojnë që e kanë të zorshme të pajtohen me humbjen e tij.
“100 pikëpyetje kanë me na përcjellë gjithë jetën, sepse nuk e ke pasë asnjë arsye për me u nda prej neve”, shkruan në një fjali.
“Çdo mbledhi, çdo koncert, çdo provë e çdo pauzë ka me mbetë një vend i zbrazët në tavolinë, në shoqëri, e sidomos në zemrat tona”, është fjalia tjetër që është nënshkruar nga Iliri, Fita, Arditi dhe Shkodrani, kolegë e shokë të Bledarit.
Nga kolegët e tij në Forcën e Armatosur të Kosovës, FSK, është një kujtim gjithashtu.
“Bledar, falemnderit për Shërbimin që bëre për Kosovën, për Forcën e Sigurisë së Kosovës, përherë do jemi krenarë me punën tënde”, shkruan dikush nga FSK.