Bien në pranga të Policisë vëllezërit Shala të dyshuar për tentim vrasje, detaje të reja ekskluzive

Mbrëmë u raportua për tentim vrasjen që ndodhi në fshatin Bardhosh të komunës së Prishtinës, ku i dyshuarit Ekrem Shala, ka gjuajtur me armë zjarri në drejtim të një gruaje, por që nuk ka arritur ta qëlloj. Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive të këtij rasti ku u përfshinë dy familje, të dyshuari nga familja Shala dhe viktimat nga familja Jashari.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se përveç Ekremit, i dyshuar në lidhje me këtë rast është edhe vëllai i tij, Sokoli. Të dy tashmë kanë rënë në prangat e Policisë, pasi fillimisht, kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
Për motive ende të panjohura, Sinjali mëson se Ekremi ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka shtënë një herë, por që s’ka arritur ta qëllojë viktimën. Megjithatë, i lënduar ka mbetur vëllai i saj, që dyshohet se është therur me thikë.
Pas denoncimit të rastit, Policia ka nisur kërkimet dhe është zbuluar se të dyshuarit kanë marrë trajtim mjekësor në një spital privat. Aty, Policia i ka kapur në flagrancë dy vëllezërit, në veturën e të cilëve është gjetur thika, gëzhoja, si dhe njolla gjaku. Ndërkohë, hetimet për rastin kanë nisur, me ç’rast Policia ka konfiskuar edhe armën, me fishek, që dyshohet se është përdorur në rast.
Të dyshuarit pas arrestimit janë shoqëruar në stacion policor dhe me vendim të Prokurorit janë ndaluar për 48 orë për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë dhe Armëmbajtje pa leje”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.