Papunësi dhe paga të ulëta, pritet rritje e emigrimit këtë vit në Kosovë

Mbeten shqetësuese shifrat e larta të qytetarëve të Kosovës të cilët po e braktisin vendin për një jetë më të mirë në shtetet perëndimore. Emigrimi i qytetarëve, vit pas viti po vazhdon të rritet. Derisa në vitin e kaluar ishin larguar nga Kosova 42 mijë e 728 qytetarë, këtë vit pritet që kjo shifër të jetë edhe më e lartë. Për sociologët, arsye kryesore të largimit janë papunësia dhe pagat e ulëta.
Drejtori për statistika të popullsisë në Agjenci të Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati ka paralajmëruar se trendi i emigrimit është në rritje, kryesisht për shkak të gjendjes ekonomike.
Ai thotë se këtë vit emigrimi do të jetë edhe më i lartë se në vitin 2021, kur ishin larguar nga vendi rreth 43 mijë qytetarë.
Këtë parashikim, Kastrati si duket e ka bazuar edhe nga të dhënat e ambasadave të huaja në vend.
“Edhe këtë vit sikur vitin e kaluar do të ketë emigrim të qytetarëve, ndoshta pak më shumë, sipas disa diskutimeve që i kemi pasur me institucionet ndërkombëtare. Por, ky trend do të vazhdojë edhe për një kohë, sepse vendet e fuqishme zhvillimore perëndimore po kanë nevojë për punëtorë. Nëse ndodhë liberalizimi i vizave a do të ketë emigrim edhe më të lartë? Nuk ka të dhëna të sakta, shtetet e ndryshme kanë pasur emigracion të ndryshëm, do kanë shkuar menjëherë pas liberalizimit, do pas një kohe. Besoj se kur do të bëhet liberalizimi i vizave do të ketë një dyndje në fillim për largim, por kanë me qenë të specifikuara se sa mund të qëndrojnë qytetarët në vendet perëndimorë. E shohin atje, e sfidojnë veten atje, edhe ballafaqohen me realitetin, se disi tash është si ‘mollë e ndalur’, s’po munden me shkuar”, thekson ai.
Sociologu Jeton Brajshori thotë se institucionet e Kosovës nuk janë duke bërë aspak mjaftueshëm për të parandaluar një ikje kaq të madhe të qytetarëve, ani se qeveria, sipas tij proklamon vazhdimisht se ka rritje ekonomike.