I arrestuari në Baicë: “Edhe 100 herë njëjtë ka me ia bo”- Dëmtoi ventilin e Ibër Lepencit për ujitjen e fshatrave

DrenicaOnline pak më parë raporti se një person është arrestuar në fshatin Baicë të Drenasit pasi që i njëjti dyshohet se ka dëmtuar pusetat dhe ventilat e Ibër Lepencit.
I dyshuari 30-vjeç ishte denoncuar në polici nga kompania Ibër Lepenc.
Tani burimet e gazetës Sinjali nga Prokuroria kanë bërë me dije se i riu, po dyshohet se ka dëmtuar ventilin që shërben për ujitjen e arave në fshatrat përreth, veprim ky që e ka përsëritur që disa herë.
Kjo ka bërë që një punëtor i kësaj kompanie që bën ujitjen e kulturave bujqësore ta denoncojë atë në Polici.
Sipas informatave të para, i njëjti rast ka ndodhur edhe para dy ditësh, ku i dyshuari ka dëmtuar pusetën.
Madje sipas denoncuesit ai i ka paralajmëruar se “kështu do t’ia bëj edhe 100 herë”.
Si rezultat i denoncimit, Policia e ka arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor të dyshuarin.
Ndaj tij, prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e instalimeve publike”.