Ish-inspektori i ndërtimit në Drenas thotë se në shtator urdhëroi ndërprerjen e punimeve në objektin “Ana Princess”

Ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Drenasit i akuzuar për korrupsion, Fitim Veliqi, tha se në muajin shtator kishte konstatuar se objekti i “Ana Princess” ishte pa leje, ku kishte vendosur shiritin dhe kishte urdhëruar ndërprerjen e punimeve.

Këtë deklarim, i akuzuari Veliqi e bëri në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë dhënies së mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Veliqi ngarkohet se nuk ka bërë rrënimin e objektit “Viva Fresh”, objektin “Ana Princess”, objektin “Hajdini Palace” dhe objektin “Aktiv”, me ç’rast nga mosrrënimi i këtyre objekteve pa leje, thuhet se kanë përfituar pronarët e këtyre objekteve, ndërsa komunës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 34 mijë e 176 euro.

Gjatë seancës së të hënës lidhur me objektin e “Ana Princess”, i akuzuari Veliqi tha se fillimisht në muajin shtator kishte konstatuar se ky objekt ishte pa leje, ku kishte vendosur shiritin dhe kishte urdhëruar ndërprerjen e punimeve. Më pas, në tetor pasi kishte inspektuar punimet, ndërrimi nuk ka qenë duke punuar por e kishte vërejtur që ishte dëmtuar shenja zyrtare, me ç’rast kishte paraqitur kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse.

Po ashtu, i njëjti tha se ka vazhduar me inspektim, ku në muajin nëntor ka konstatuar vazhdimin e punimeve dhe kishte urdhëruar ndërprerjen e punimeve si dhe kishte hartuar aktvendimin për rrënim e objektit në fjalë, të cilin aktvendim e kishte dërguar tek shefi për aprovim.

Mirëpo, shtoi se edhe pse shefi e ka aprovuar, drejtori nuk e kishte ndëshkuar.

Fillimisht, i njëjti duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtëses së tij, avokates Zahide Gjonaj tha se më 28 shtator 2015 kishte filluar punën si inspektor i ndërtimit në Komunën e Drenasit.

Po ashtu, ai tha se detyrat e tij si inspektor i ndërtimit kanë qenë kontrollimi dhe inspektimi i të gjithave ndërtimeve me leje dhe pa leje, ku theksoi se inspektimi kryhet sipas dispozitave ligjore dhe akteve nënligjore për ndërtim.

I akuzuari Veliqi tha se nga 12 drejtori në Komunën e Drenasit, një ndër to është Drejtoria e Inspektoratit, ku drejtor në atë kohë ka qenë Milaim Hajdari, ndërsa shef-kryeinspektor ka qenë dhe është Halim Dërllaku.

Ai tha se natyra e tij e punës si inspektor ka qenë të dalë në terren, ku shtoi se informatat për ndërtime pa leje në bazë të planit të punës vjetore në komunë e bëjnë sipas detyrës zyrtare në rast të dyshimit për ndërtime pa leje, e po ashtu informata mund të marrin edhe nga qytetarët.

Lidhur me objektet pa leje për të cilat akuzohet sipas prokurorisë, i akuzuari Veliqi tha se informatat për ato objekte i ka siguruar personalisht sipas detyrës zyrtare, ndërsa faza e ndërtimit të këtyre objekteve ka qenë fillimi, përkatësisht vendosja e themeleve.

Pas kësaj, ai tha se e në momentin kur dyshojnë apo e kuptojnë e inspektojnë atë ndërtim, ku në vendpunishte kërkohet leja e ndërtimit.

E në rastet kur nuk ka leje, një gjë të tillë tha se e konstatojnë në procesverbal se është duke u ndërtuar pa leje e që është në kundërshtim me ligjin.

Tutje, tha se në bazë të procesverbalit, nxjerr aktvendim për ndërprerjen e punimeve, në të cilin urdhërohet ndërprerja e punimeve, i jepet afat me u pajis me leje, kurse në pikën 3 tregohet se do të bëhet rrënimi i objekteve nëse nuk pajisen me leje ndërtimi.

“Aktvendimin e përpiloj dhe e nënshkruaj e më pastaj dërgoj tek shefi- kryeinspektor, për aprovim nëse ka ndonjë të metë, pas këtyre dërgohet tek drejtori për nënshkrim”, shtoi ai.

Ai sqaroi se shefi-kryeinspektori nuk e nënshkruan vetëm e aprovon, mirëpo në rast të mungesës së drejtorit atëherë i njëjti nënshkruan.

Duke iu referuar udhëzimit administrativ 18/2003, i akuzuari tha se me nxjerrjen e vendimit përfundon përgjegjësia e inspektorit, pasi që të njëjtit kanë autoritet vetëm të lëshojnë urdhër për ndalje të punimeve, ndërsa ekzekutimi i vendimit dhe urdhri për rrënim jepet prej organit kompetent, e që është drejtori i Drejtorisë.

Po ashtu, i akuzuari deklaroi se ka obligim që ta njoftojë shefin dhe drejtorin, e që sipas tij një obligim të tillë e kishte përmbushur duke i njoftuar për çdo inspektim pas kthimit nga terreni dhe për çdo ndërtim pa leje dhe me leje.

Po ashtu, tha se të gjitha procesverbalet dhe çdo dokument i kishte skanuar dhe përmes protokollit ua kishte dorëzuar shefit dhe drejtorit.

Pas kësaj, për shkak të angazhimit në orarin e pasdites, kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi-Jashanica seancën e ka ndërprerë, ndërsa të radhës e ka caktuar për 27 korrik 2022.

Paraprakisht, në seancën e së hënës prokurorja Fitore Sadiku i ka lexuar dhe elaboruar provat materiale, për të cilat mbrojtësja e të akuzuarit Velqi, avokatja Zahide Gjonaj tha se janë në kundërshtim me vetveten dhe gjendjen faktike.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 30 dhjetor 2020, Veliqi po akuzohet se në vazhdimësi nga 23 shtatori 2015 dhe 30 korriku 2016, në cilësinë inspektorit të ndërtimit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtim Nr.04/l-175 dhe Ligjin për Ndërtim Nr.04./L-110, me Udhëzimet Administrative MMPH nr. 18/2013, duke mos ndërmarrë veprime administrative juridike për objektet përgjatë brezit të autostradës “Ibrahim Rugova”.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Veliqi nuk ka bërë rrënimin e objektit “Viva Fresh” të pronarit Shaip Bujupi, objektin “Ana Princes” me pronar Faik Kastrati, objektin “Hajdini Palace” me pronar Xhelil Leku, objektin “Aktiv” me pronar Florim Shala. Nga mos rrënimi i këtyre objekteve pa leje, thuhet se kanë përfituar personat e lartcekur, ndërsa Komunës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 34 mijë e 176 euro.

Me këtë, Veliqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë