Nipërit e legjendave të folklorit shqiptar, Salih e Feriz Krasniqit, zënë vendin e tretë në Angli

Salih e Feriz Krasniqi, të rinjtë, nipërit e legjendave të folklorit shqiptar, Salih e Feriz Krasniqi, e kanë zënë vendin e tretë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit që u mbajt në Llangollen të Anglisë, raporton TV Malisheva.

Këngëtarët nga Drenoci i Malishevës në mungesë të mbështetjes financiare nuk kanë mundur të marrin pjesë fizikisht në festival dhe paraqitjen e tyre aty e kanë bërë në distancë përmes video-lidhjeve. Ata dhe folklori i Kosovës janë renditur në pozitën e tretë, pas ShBA’së dhe Indisë.

Kujtojmë lexuesiut se rapsodët Salih e Feriz Krasniqi(Seniors), tani të dy të ndjerë, kishin zënë vendin e parë, në vitet e 60-ta, në të njëjtin festival.

Më poshtë e gjeni njoftimin e plotë të dhënë nga Veton Kastrati, i cili së bashku me Nexhat Krasniqin, e kanë bartur tërë barrën e organizimit dhe pjesëmarrjen së rapsodëve të rinjë në festivalin prestigjioz të muzikës.

Postimi i plotë:

“Edhe një lajm i mirë për shtetin e Kosovës në fushën e kulturës në arenën ndërkombëtare nga talentët e rinjë të muzikës folklorike Salih e Feriz Krasniqi (Juniors).

Pas disa muaj angazhimi si ndërmjetësues në mes të duetit Salih & Feriz Krasniqi (Juniors) në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës – Llangollen 2022, si dhe me iniciativen, njëherit udhëheqës të grupit Prof. Nexhat Krasniqi, i cili edhe me shpenzime vetanake ju mundësoi grupit pjesëmarrjen në këtë festival ndërkombëtar, me ç’rast erdhi lajmi i shumëpritur!

Edhe pse pa pjesëmarrje fizike për shkak të mungesës së perkrahjes shtetërore, konkretisht mungesë përkrahjeje financiare nga Ministria e Kulturës, ne si grup jemi renditur në vendin e 3 në këtë garë ndërkombëtare, pas shteteve të mëdha: SHBA – ve dhe Indisë.

Unë si mësimdhënës i gjuhës angleze ku nxënësve ua shpjegoj Festivalin e Llangollenit, është privilegj ta ndaj me ju këtë lajm…!

Këtë e bën edhe më madhështore fakti se para 56 vitesh në po këtë festival ishin pjesëmarrës edhe legjendat e folklorit të muzikës shqipe Salih dhe Feriz Krasniqi (gjyshërit e fituesve të tashëm), të cilët mbajtën gjallë historinë gojore dhe kulturën autoktone të zonës së Llapushës.

Tani historia përsëritet, dhe atë në mënyrën më të mirë… nga nipërit e tyre të cilët garuan në mënyrë digjitale dhe triumfuan fitues duke sjellë vendin e 3 në Kosovë nga kjo garë mjaft e fortë si folkloristë të rinj.

Urime dhe suksese!”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë