Prokuroria kërkon nga Gjykata që Nuredin Lushtakut t’i caktohet paraburgimi

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ndaluar për 48 orë ish-nënkryetarin e Skenderajt, Nuredin Lushtaku, i cili po dyshohet për incidentin e së shtunës, ku mbetën të plagosur sy zyrtarë policorë. Ndaj Lushtakut, tashmë Prokuroria ka dorëzuar në Gjykatë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin edhe kryeprokurori i Prokurorisë në Mitrovicë, Ismet Ujkani.
“Ndaj të dyshuarve është bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Kërkesa është dorëzuar në Gjykatë dhe seanca pritet të mbahet sot”, tha Ujkani për Sinjalin.
Pas grumbullimit të provave të mjaftueshme për këtë rast, prokurori i Shtetit ka lëshuar vendimin për ndalimin e Lushtakut, por i njëjti fillimisht nuk është hasur nga policia.
Lushtaku dyshohet për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarit F.L., dhe A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas Prokurorisë “ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit F.L., A.L., dhe N.L., me datë 02 korrik 2022 rreth orës 23:45 në Skenderaj, kanë sulmuar dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Skenderaj me iniciale E.B., dhe M.G., që kanë qenë në detyrë zyrtare, dhe gjatë sulmit ka rezultuar me lëndime të zyrtarëve policorë, dhe njëri zyrtar policor është goditur me predhë të armës në këmbë”.