FESTA E VENITUR

Shkruan: Petrit GASHI

Kur me 1999 kuptuam së Kosova u çlirua, menduam së aty do të marrin fund edhe dhimbjet tona, edhe përndjekjet tona, edhe sakrificat tona sepse LIRIA po vije, dhe bashkë më Lirinë po përfundon edhe sakrifica e popullit tonë. Përqafimet ishin plot pasion, urimet ishin plot buzëqeshje e besa shpresa ishte aq e madhe saqë përmbyste edhe dhembjen e madhe që kishim.

Plagët e bëra në shpirt, nga vdekjet e familjarëve tonë, djemve dhe vajzave tona, prindërve tonë, shokëve dhe shoqeve tona i mundte gëzimi për çlirimin e vendit tonë. I vetmi peizazh që shndriste mes kullave të bërë hi, rrugëve të shkretuara, e fushave të mbetura djerrinë, ishte emblema e artë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në oborrin ku në njërën anë ngritëm një tendë për të fjetur e në tjetrën anë brenda shtëpisë së shkrumbuar tentonim ta bënim një dhomë e një banjo për tu pastruar, por kishte plot shpresë, plot motiv dhe besa ringjallje të vetvetes e të shpirtit tonë të plagosur.

Askush, ama askush nuk do të besonte se 23 vite pas qershorit 1999 do të jemi kaq të pikëlluar, kaq të plagosur, kaq të pashpresë e më shumë vuajtje e dhembje të pandërprera. Ajo embleme ku dikur shendriste mes hirit, djerrinave e rrugëve të shkrumbuara, sot, haptazi po shahet e përçmohet sikur të mos kishte bërë asgjë për ne. Shpesh pyesim veten: Ku gabuam? Përgjigje që tenton ti ikë secili prej nesh!

Sot, Çlirimtarët janë duke u gjykuar pse e deshën lirinë aq shumë, dhe janë vendosur diku larg Kosovës si të internuar për të marr dënimin, apo për të tentuar që ti dënojnë pse i ndalën vrasjet e fëmijëve dhe i dolën zot vendit. Në anën tjetër shqipfolësit që dikur si struci fusnin kokën në zall, sot janë zgjuar duke akuzuar se perse na çliruan?

Sot, më shumë së kurrë kemi nevojë për vlera, për ato vlera që dikur pa kulm mbi kokë, pa me të dashurit tanë, më plagë në trup, me dhembje në zemër e me shpirt të thyer na sollën buzëqeshje në fytyrë.

Sot, më shumë së kurrë kemi nevojë për bashkim, për atë bashkim që i del zot atdheut e që zërin e çlirimtarit e bënë krenar.
Sot me shumë së kurrë kemi nevojë që të kuptojmë se pa gjakun e dëshmorëve e të rënëve, pa plagët e invalidëve, pa kontributin e diasporës, pa djersen e mundin e çlirimtarit nuk do kishte LIRI.

Sot, më shumë së kurrë na duhet të kuptojmë së ata që dergjen ne burgje, ata që vuajnë nga plagët, ata që lëngojnë nga varfëria, ata që falen me të dashurit e tyre, ata që falen pasuritë e tyre etj. nuk e bërën vetëm për veten e tyre por për tërë Kosovën.

Qershori i qershive të kuqe, i lulëkuqeve të bukura, i lëndinave të gjelbëruara e i fëmijëve të gëzuar, sot, ne po na ndal buzëqeshjen, sepse Çlirimtaret po e paguajnë një faturë të padrejtë e cila nuk duhej ardhur asnjëherë.

Sot solidarizohem më dhembjen e familjeve të çlirimtarëve që gjenden ne burgje!
Sot kërkoj edhe njëherë që asnjë gjykatë në botë mos ta prek luftën tonë çlirimtare dhe të bindet se historia nuk kthehet mbrapa.
Sot për mua heronjtë e vërtetë janë ata që ende janë në piken e parë të frontin duke mbrojtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe lirinë e saj.

Sot për mua baci Jakup nuk është vetëm zëdhënësi i UÇK-së e autori im i preferuar i librave historik por historia vet që po ngritët si feniks për të krijuar edhe një histori të re: Fitoren e radhës në betejën e padrejtësisë.

Sot Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexhepi, Nasimi, Hysniu, Pjetri, Mustafa etj etj nuk janë vetëm Komandantet, kryeministrat, Deputetet, kryeparlamentarët por janë vet Kosova, prandaj në këtë ditë çlirimi ku duhet të kishte festë, festa është venitur, ashtu siç është venitur edhe e ardhmja e turbullt e shtetit tim.

#DrejtësiPërÇlirimtaret
#NjëherëUÇKGjithmonëUÇK

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë