“Arsimin e kanë vra”, lajmi që në luftë mori nana ime

Shkruan: Arsim Lani

Llaushë, shtator 1998: Tre ushtarë të UÇK-së u futën në ambulancë. Nga pamja u vërejt se ata kishin një lajm trishtues për ne. Në kohë lufte vetëm lajme të mira nuk prisnim. Njëri nga ata na tregoi se forcat serbe tashmë ishin futur në fshat dhe ne duhet të largoheshim nga aty. “Merrni çka të mundeni”, na tha kryeinfermierja Afërdita, mua dhe Ilirit tek po mbushnim me nxitim qeset me ato pak gjëra që na kishin mbetur në Ambulancën Ushtarake në Llaushë. Jashtë dëgjoheshin granatime nga të gjitha anët. U nisëm, pa e ditur se ku. Për një çast u shkëputa nga grupi dhe vrapova drejt lagjes time. Te shpija u tregova se serbët u futën në Llaushë, dhe me shpejtësi iu bashkova sërish grupit të ushtarëve dhe infermierëve. Kisha parë shumë filma të Kino-studios “Shqipëria e re” dhe si një 17 vjeçar ashtu e mendoja edhe në realitet luftën. Mbaj mend si sot një çantë të mbushur plotë fasho, jod, alkool, injeksione kundër dhimbjes dhe medikamente tjera të cilat do t’i përdorja në betejën që ende s’kishte filluar. Armë nuk kisha por si një i ri që luftën e kisha mësuar në filma dhe libra zgjidhja ishte e lehtë për t’u armatosur. Tash kur e mendoj qeshem me vete tek thoja ‘kur ndonjëri nga ushtarët e grupit vritet, unë do t’i marr pushkën atij për të luftuar’ pa menduar fare se unë mund të vritesha përpara secilit aty.

Për fat, asnjëri nga grupi nuk u vramë dhe arritëm të dilnim nga rrethimi. U ndalëm në majën malit nga ku shihej i tërë fshati. Llausha që deri atëherë kishte rezistuar, po garantohej me artilerinë me të rëndë të forcave serbe. Më dukej që secila predhë binte mbi familjen time që kishin mbetur brenda në fshat.

U nisëm drejt Likocit atje ku ishte Shtabi Qendror i UÇK-së. Ofensiva e shtatorit kishte përfshirë edhe këtë pjesë. Ecnim maleve të lodhur, të dërmuar duke pritur vdekjen që e kishim më afër se gjithçka. Por mendja dhe lutjet e mia ishin tek familja që e kisha lanë në mes të granatimeve. Rrugës për në Likoc u ndalem në një shtëpi për të pirë ujë. Më duket në Rezallë. Nuk kishte njëri brenda. Në ahur dëgjohej britma e lopëve që kush e di sa kohë kishin mbetur pa ushqim. I lirova nga zinxhirët dhe u luta që këtë “sevap” Zoti t’ma pranojë si shpëtim për familjen që ishte në flakë të luftës.
Dikur arritëm në Likoc. Askush nuk ndodhej aty. Dukej se Shtabi ishte zhvendosur në Qirez atje ku një pjesë e grupit tonë shkuam. Aty u ndamë me Afërditën një vajzë e re që kishte ardhur nga Sllatina e Fushë Kosovës, për t’ju bashkuar lutës së UÇK-së dhe Ilir Gecin nga Llausha që punonte në ambulanten ushtarake që nga dita e parë. Vetëm pas lufte, kam kuptuar se “Afërditë” nuk ishte emri i vërtetë i saj.

Qirezi dhe zonat përreth konsideroheshin të lira. Unë tashmë gjendesha në këtë zonë të “lirë”.

Atë natë nana jem kish marrë lajmin se Arsimi u vra. Ishin në mal, kur dikush iu afrua vendit ku po qëndronin familja ime për t’u dhënë lajmin e kobshëm. “Ku është familja e Galanit?”, kishte pyetur dikush e më pas kishte njoftuar se unë isha gjetur i vrarë në mal. Vetëm një zemër nane e kupton sa i ranë ishte ky lajm për të. Ajo që kurrë s’u nda nga “sugari” tash po pranonte ngushëllime për vdekjen djalit të vogël. “Më thojshin e kanë vra Arsimin, po Zoti me kallxojke që je gjallë”, me tregonte nana për lajmin që e kishte marrë.
Edhe unë kisha marrë lajmin se komplet familja ime janë masakruar. Isha vetëm, larg tyre dhe i ri për ta përballuar këtë lajm të trishtuar që gjasat për të ndodhur ishin më shumë se reale. Televizioni Shqiptar apo Radio Tirana, nuk më kujtohet, raportoi se e tërë Lagja Lani është masakruar diku në malet e fshatit Llaushë.
(Vëllai im Fitimi, si i poshtër që është, më pat thanë: a u gëzove ti që na vrajten kretëve për me i grah traktorit?😀)

Për disa ditë familja ime qëndroi në fshat e rrethuar, më pas dolën nga rrethimi dhe një pjesë e lagjes time erdhën në Qirez. Aty mora vesh që janë të gjallë të gjithë por aty kuptova se nana jem mendon se unë jam i vdekur. Nuk kishte asnjë mundësi komunikimi me familjen time për të cilën mora vesh se kanë mbërritur në Mitrovicë.
Nana jem që kishte shpresuar se jam gjallë duke besu që ndodhesha në Mitrovicë të halla, ishte dorëzuar kur nuk më ka pa atje. “Kur mora vesh që s’je në Mitrovicë, thash përnime e paskan vra Arsimin”.

U nisa nga Qirezi për Mitrovicë, duke rrezikuar edhe jetën, vetëm për t’i treguar nanes tem se jam gjallë.

Rruga ishte shumë e gjatë, por mua s’mu duk. I gjatë ishte përqafimi me nanën që po takoheshim pas “vdekjes” time.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë