Shitblerja e gjigandit në Drenas, çfarë pritet të ndodhë me Ferronikelin?

Gjatë ditës së martë, gjiganti metalurgjik “NewCo Ferronikeli”, i vendosur në Drenas, bëri të ditur se konglomerati ndërkombëtar me bazë në Turqi “Yildirim”, ka blerë pronësinë e fabrikës me të gjitha pasuritë dhe pronat përreth, pas një marrëveshjeje me Grupin investues BALFIN nga Shqipëria. Që në komunikimin e parë me publikon grupi investiv turk, ka shfaqur qëllimin e qartë që fabrikën për prodhimin e nikelit në Kosovë, ta shndërrojë në një histori suksesi.
Por kush është kjo kompani dhe çfarë pritet nga ajo, mbetet të shihet.
DrenicaOnline ka kontaktuar me Fehmi Nikën, kryetarin e sindikatës së punëtorëve në Feronikel i cili ka thënë se ende nuk janë njoftuar me pronarin e ri dhe krejt çfarë dijnë janë shkrimet që po shohin në media.
“Ne si sindikatë jemi informuar përmes mediave për shitjen e gjigantit, por deri më tani nuk kemi pasur kurrfarë takimi me menaxhmentin e ri. Me datën 15 qershor është koha kur punëtorët duhet të marrin pagat dhe po presim se çfarë po ndodhë dhe në rast që nuk ka paga ose ka vonesa, ne do të kërkojmë fajtorin”, ka deklaruar Nika.
Ai ka pohuar se nga 28 prilli, ka rinisur prodhimin fabrika dhe se punët po ecin mbarë.
Portali ka kontaktuar edhe me kompaninë për marrdhenie me mediat e cila ka qenë e kontraktuar nga menaxhmenti i kaluar i Ferronikelit, mirëpo ata thonë se aktualisht nuk mund të flasin asgjë rreth shitblerjes së gjigantit metalurgjik me bazë në Drenas.
Ndërkohë në disa media po qarkullon një artikull i sponsorizuar se kush janë pronarët e rinj të Ferronikelit, por për këtë nuk është kontaktuar edhe portali lokal ‘DrenicaOnline’ nga i cili informohet në kohë reale e gjitha Drenica.
Në artikullin e sponzorizuar në disa media, siç ka bërë të ditur kompania, dy grupet e biznesit, së bashku kanë ndërmarrë të gjitha masat që procesi i tranzicionit të pronësisë të kalojë i qetë, pas nënshkrimit të kontratës përmes së cilës “Yildirim” bëhet pronare e plotë e Ferronikelit.
Ferronikeli, ndër vite ka përfaqësuar pjesën më të madhe të eksporteve të Kosovës, duke përbërë 30% të eksporteve të gjithmbarshme të vendit. Kompania që u themelua në vitin 1984 si ndërmarrje shtetërore, ka qenë në vazhdimësi lojtari kryesor në ekonominë e shtetit, duke qenë prodhuesi, eksportuesi dhe punëdhënësi më i rëndësishëm në vend./DrenicaOnline/