Fillon cikli i dëgjimeve publike për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2023-2025

Komuna e Drenasit ka filluar mbajtjen e dëgjimeve buxhetore me qytetarë për të diskutuar Kornizën Afatmesme Buxhetore lidhur me projektet prioritare për periudhën 2023-2025.
Sot janë mbajtur dy dëgjime me publikun. Dëgjimi i parë filloi nga ora 10:30 në Sallën e Kuvendit Komunal të Drenasit me përfaqësues të Shoqatave të Bizneseve, OJQ dhe Shoqëri Civile.
Takimin e parë e prezantoi Udhëheqësi i Zyrës për Komunikim me Publikun, Bekim Dobra i cili e përshëndeti takimin dhe ka falenderuar për pjesëmarrje në takim gjithë pjesëmarrësit.
Në këtë dëgjim, merrnin pjesë, nënkryetari i Komunës, Arben Shala, drejtorë të drejtorive komunale, administratorë të vendbanimeve, përfaqësues të lagjeve dhe qytetarë të shumtë.
Të pranishmit kanë paraqitur kërkesat dhe nevojat e tyre për të cilat kanë kërkuar të futen në projeksionet buxhetore 2023- 2025.
Nga ora 13:30 në Sallën e Kuvendit Komunal të Drenasit është mbajtur edhe dëgjimi tjetër me publikun. Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor ishte tema për të cilën u diskutua në takimin e dytë me përfaqësueset e grave.
Të gjithë të pranishmit janë pajisur me materialet e nevojshme për të diskutuar. Ata para vetës kanë pasur draft-listën e investimeve kapitale si dhe draft-buxhetin për vitet 2023-2025 dhe pasi kanë paraqitur kërkesat e tyre kanë marrë përgjigje për kërkesat e parashtruara.
Ndryshe, buxheti i përgjithshëm i Komunës për vitin 2023 është 18.156.892.00 euro, ndërsa nga kjo shumë për investime kapitale janë planifikuar 6.335.649.00 euro apo 34.89%.
Këto dëgjime buxhetore ishin dëgjimet e para pas të cilave nga nesër do vazhdojnë në ShFMU “Rilindja” në Dobroshec për Bashkësia lokale e Dobroshecit (Gradicë, Likoshan, Godanc, Dobroshec, Gllanasellë dhe Çikatovë e Vjetër), duke filluar nga ora 10: 20.
Ditën e nesërme do mbahen dëgjimet buxhetore edhe në ShFMU “ Zenel Hajdini” në Tërstenik për Bashkësinë Lokale Tërstenik (Tërstenik I dhe II, Vërboc, Polluzhë dhe Shtuticë) duke filluar nga ora 13:15.
Inkurajohen gjithë qytetarët e vendbanimeve të lartcekura të marrin pjesë në dëgjimet buxhetore dhe të dhënë rekomandimet e tyre për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2023-2025.