Në Drenas përkujtohet dëshmori i kombit Nazmi Muja
Më rastin e 40 vjetorit të vrasjes së dëshmorit të kombit, Nazmi Muja, të mërkurën në Sallën e Kulturës është prezantuar filmi dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së dëshmorit e përgatitur nga autori Ahmet Qeriqi.
Në shfaqjen e dokumentarin merrnin pjesë, kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, nënkryetari i komunës, Arben Shala, drejtor të drejtorive, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, bashkëveprimtar të dëshmorit Muja, familjar të dëshmorit e shumë qytetarë.
Para shfaqjes së filmit dokumentar, nënkryetari Shala tha se vitet 80-ta dhe fillimi i viteve 90-ta, dhe jo vetëm, ishin të rënda për popullin shqiptar në Kosovë, jo vetëm se gjendja politike ishte e tensionuar dhe nacionalizmi serb po arrinte kulmin. Të rinjtë tanë, që u duhej të kryenin shërbimin ushtarak në kazermat e ushtrisë jugosllave, ishin bërë cak i vrasjeve, burgosjeve e keqtrajtimeve brutale, për arsyen e vetme se ishin shqiptarë.
“Vrasjet synonin demoralizimin e popullit shqiptar dhe familjeve patriotike të cilat tashmë kishin traditë rezistence ndaj armikut. I tillë ishte rasti i Nazmi (Avdullah) Mujës nga Gradica e Drenasit dokumentarin për të cilin do ta shohim pas pak, por edhe të nëntë bashkëqytetarëve të tij nga komuna e Drenasit, respektivisht Halil (Halim) Binakut; Shefqet (Avdyl) Prekazit; Abedin (Selman) Balës; Isuf Krasniqit; Agim (Salih) Gllarevës; Tahir (Azem) Gashit; Lulzim (Faik) Rexhepit; Samedin (Fazli) Krasniqit; Rexhep (Zijadin) Ahmetit, e që në tërë Kosovën numri kishte arritur në 120. Por ajo çka e bënte më të rëndë situatën ishte politika që fshihej pas arsyetimeve banale, kur të vrarët, të rinjtë tanë, silleshin të varroseshin. Armiku kishte bërë plane e arsyetime por që nuk pinin ujë sepse populli ynë e njihte mendësinë vrastare të regjimit serb. Tashmë, me realitetin e ri, me Kosovën e pavarur duhet të bëhen përpjekje që të zbardhet e vërteta ndërsa ne gjithmonë do t’i kujtojmë të rinjtë tanë të vrarë me respektin më të madh, edhe si një dëshmi për ata që ende mund të kenë dyshime, se të ishe shqiptar në ish-jugosllavi ishe i padëshiruar dhe armik. Nderim e lavdi!”, tha nënkryetari Shala.
Pas përfundimit të dokumentarit, kryetari i komunës Lladrovci ka ndarë mirënjohje për familjen Muja.
Lavdi dëshmorëve të kombit!