Apeli rrëzon ankesën e ZRrE-së, pezullohet shtrenjtimi i çmimit të rrymës

Vendimi i muajit shkurt me të cilën u shtrenjtua çmimi i rrymës nga ZRrE-ja, do të pezullohet. Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, një vendim të tillë e ka konfirmuar edhe Gjykata e Apelit.
Apeli e ka refuzuar ankesën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për vendimin e Themelores, e cila i kishte vënë masë të përkohshme shtrenjtimit të çmimit të energjisë.
Gazeta Nacionale ka mësuar se vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë dje më datë 17 maj, përderisa palët e përfshira ende nuk e kanë pranuar.
Se vendimin nuk e kanë marrë ende, e ka konfirmuar për gazetën Nacionale, Petrit Pepaj nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
“Ende nuk e kemi marrë vendimin e Apelit”, ka thënë shkurt Pepaj.
Ankesën për çmimin e rrymës e kishte bërë Partia Demokratike e Kosovës, e cila gjithashtu kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj ZRrE-së që nuk po e zbaton vendimin.
Çfarë ndodhi?
Vendimi i muajit shkurt nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për rritjen e tarifave të rrymës, do të bllokohet përkohësisht. Kështu kishte vendosur Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila i ka vënë masë të përkohshme zbatimit të këtij vendimi. Kjo pas ankesës në muajin mars që e kishte bërë Partia Demokratike e Kosovës.
Vendimi për rritjen e çmimit të energjisë kishte hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022. Sipas vendimit, të gjithë konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë në muaj, do të kishin çmim më të lartë të rrymës, ngase kishin më herët. Vendim i cili ishte kundërshtuar ashpër nga partitë politike, shoqëria civile e qytetarët, të cilët kishin dalur edhe në protesta, madje në numër mjaft të madh. Për rritjen e tarifave të rrymës, partitë në opozitë tashmë kanë siguruar 40 nënshkrime, për të krijuar një komision hetimor.
I gjithë procesi në Gjykatë nisi pas padisë së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës dëmton qytetarët e vendit.
Kështu, më 9 prill Gjykata mori vendim për pezullim, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe këtë në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura.
ZRRE-ja, duke u thirrur në Ligjin për konfliktet administrative, pati deklaruar se “aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm”.
ZRRE-ja, në vazhdën e krizës globale energjetike, ka miratuar faturat me rritje më 8 shkurt, të cilat ka thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars, 2023.
Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë.