Rrëfimi emocionues i Shqipe Zogut/ 23 vjet në kërkim të babait të zhdukur gjatë luftës (Video)

Shqipe Zogu nga Komorani ka qenë e ftuar në një emision televiziv për të folur për zhdukjen e babait të saj tash e 23 vjet. Ajo ka rrëfyer momentet e dhimbshme dhe ka kritikuar institucionet shtetërore pasi sipas saj ende ne nuk kemi një marrëveshje me palën serbe për gjetjen e trupave të zhdukur.

“Sot është 27 prilli, dita ku shënohen të zhdukurit. Ky përvjetor e gjen vendin tonë, shtetin tonë ende pa një dialog apo marrëveshje me shtetin serb për fatin e të zhdukurve. E gjen vendin tonë ende pa një ligj që trajton me dinjitet të zhdukurit dhe familjarët e tyre. E gjen vendon tonë pa një ndërmarrësi nga ana e institucioneve që të mbështes familjet e të zhdukurve në aspektin psikik sepse në vazhdojmë të jemi në traumë të pritjes çdo ditë”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se ka qenë 8 vjeçe kur i është zhdukur babai i saj i cili ishte pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton DrenicaOnline.

“Tash 23 vjet, unë më nuk e kam takuar babain. Ne jemi pesë fëmijë, katër motra dhe një vëlla. Femiu më i madh kur ka ndodhë ngjarja ka qenë 16 vjet dhe më i vogli 9 mujashe. Krejt kjo ka bërë që gjendja të jetë shumë më ë rëndë për nënën. Unë shpesh e them që unë kam dy heronj, babi im është dëshmor i zhdukur, ka qenë ushtar dhe heroi i dytë është babi im, ndërsa hero tjetër për së gjalli është nëna e cila ka bërë shumë shumë për ne”, ka thënë Shqipe Zogu në emisionin e mëngjesit në ATV.

Ajo thotë se menjëherë pas luftës kur janë kthyer në shtëpitë e tyre, disi ajo nuk ka mundur ta pranojë se babai i saj më nuk do të jetë me ta.

“Dhe kanë kaluar vite e vite që unë kam besuar se ai do të kthehet. Për të qenë edhe më e sinqertë, një ngjarje të tillë e kanë përjetuar edhe anëtarët e tjerë të familjes. Madje kur kanë vendosur organizatorët ta bëjnë lapidarin e dëshmorëve në fshatin tim, gjyshi ka thënë jo mos e vendosni emrin e djalit tim sepse ai do të kthehet dhe sot e asaj dite nuk është emri i babait tim në atë lapidar”, ka treguar ajo.

Ndiqeni rrëfimin e plotë të Shqipe Zogut:

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë